Rreth 14.7 milionë euro janë shpenzimet e institucioneve të Kosovës vetëm për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit në vitin 2018. Në vitin e kaluar, shpenzimet për mëditje ishin për 27 për qind apo 3.1 milionë euro më shumë se sa në vitin 2017.
Nga 11 ministri që kanë raportuar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë shpenzuar më së shumti për mëditje.
Përveç shpenzimeve të mëdha, shpeshherë ka pasur edhe keqpërdorime të mjeteve nga kjo kategori veçanërisht nga zyrtarë të ministrive.
Kështu u tha sot gjatë publikimit të një hulumtimi nga Instituti GAP me temë “Lufta për mëditje: praktikat e institucioneve publike rreth udhëtimeve zyrtare”, në kuadër të Javës Kundër Korrupsion 2019.
Nora Latifi Jashari nga Instituti GAP, tha se mëditjet përbëjnë një shumë mjaft të madhe të parasë publike, teksa shtoi se roli i mëditjeve si instrument është që t’u mundësohet punonjësve të sektorit publik pjesëmarrja në seminare, punëtori, trajnime dhe takime të rëndësishme shtetërore.
Ajo ka inkurajuar zyrtarët që t’i paraqesin këto keqpërdorime për ta luftuar korrupsionin.
Jashari tha se deri në mesin e vitit 2018 shuma e mëditjeve për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë shtetit është rregulluar me një rregullore të UNMIK-ut, ndërsa vitin e kaluar Ministria e Financave ka aprovuar një vendim të ri për ndryshim të tarifave të mëditjeve krahas standardit të jetesës në cilin shtet udhëtohet, por pa e ndryshuar përmbajtjen e Udhëzimit Administrativ.
“Mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda jashtë shtetit përbëjnë një shumë mjaft të madhe të shpenzimeve të parasë publike, edhe pse nuk ka kufizim deri në çfarë shume apo sa para mund të marrë një zyrtarë publik pasi që kjo varet nga udhëtimi që ai ose ajo realizon. Për shumë viti Instituti GAP publikon të dhëna për shpenzime të ministrave dhe zyrtarëve të kabineteve të tyre për mëditjeve, këto të dhëna zakonisht I mbledhim me kërkesa zyrtare drejtuar këtyre institucioneve pasi që këto të dhëna nuk publikohen në ueb-faqet e tyre zyrtare”, tha Jashari.
Hulumtuesi në Institutin GAP Blendi Husaj ka evidentuar disa të gjetura, në të cilat sipas tij, ka raste që mëditjet përdorën për kompensime për shkollim apo për ngritje profesionale të punonjësve në sektorin publik dhe jo vetëm për udhëtime zyrtare, teksa shton se ka zyrtarë që kanë marrë mëditje sa dyfishi i pagës vjetore.
“Siç tregon raporti ynë, ka raste ku të hyrat e një shërbyesi civil apo përfaqësuesit e institucioneve publike, ku të hyrat e tij ose të saj nga mëditjet gjatë një viti dinë te jenë sa gati dyfishi i pagës për një vit. Ka raste të tjera që janë identifikuar edhe nga Zyra e Auditorit të përgjithshëm që personat apo shërbyesit civilë nuk i kthejnë avancat të cilat i kanë marrë e që kanë mbetur të pa shpenzuara. Po ashtu, kemi institucione të tjera publike të cilat akordojnë tarifa fikse për udhëtime jashtë shtetit e që nuk është konform të vendimit të Ministrisë së Financave. Po ashtu, kemi edhe persona të cilët përfitojnë mëditje, mirëpo nuk është që punojnë për ndonjë institucion publik ose nuk kanë kontratë drejtpërdrejt me institucionet publike”, theksoi Husaj.
Edhe Ardiana Sahiti, auditore e Brendshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit tha se nga shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit 95 për qind janë bërë nga niveli qendror dhe vetëm 5 për qind janë shpenzime nga niveli lokal, teksa bëri të ditur se ka pasur raste që është financuar shpenzimi i udhëtimit për marrjen e diplomës së një punonjësi.
“Të gjetura të tjera të identifikuara ndërlidhen kryesisht me avancat e hapura pastaj pagesa e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve për punonjës të institucionit, në një rast tjetër është paguar për punonjës që nuk ka qenë punonjës të institucionit nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Në një rast tjetër nga mjetet e avancit për udhëtim zyrtar është blerë një pajisje e teknologjisë informative konkretisht një laptop dhe është financuar shpenzimi i udhëtimit për marrjen e diplomës të një punonjësi të institucionit”, tha Sahiti.
Edhe deputeti i ri i Kuvendit të Kosovës ka përmendur disa raste të keqpërdorimit të mëditjeve, siç tha ai në një rast është shpërblyer një punonjës zyrtar me një udhëtim zyrtar jashtë vendit veçse i ka lindur gruaja.
“Te trajnimet ishte dashur me vlejtur një kornizë ligjore tjetër e cila e bën trajtimin më fer dhe më transparent të pjesëmarrësve nëpër trajnime. Ka raste kur qohen njerëz nëpër trajnime, ka pasur raste që i la lindur gruaja personit zyrtar, edhe menaxhmenti ka vendosur me shpërblyer me një udhëtim zyrtarë jashtë vendit”, tha Murati.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe Shawn Waddoups drejtor i Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve mbi Sundimin e Ligjit (INL), nga Ambasada amerikane në Kosovë, i cili u dakordua me rekomandimet e Institutit GAP se shumica e trajnimeve mund të mbahen në Kosovë dhe të shmanget marrja e mëditjeve nga dy burime si dhe të zbatohet një praktikë standarde për aprovim të mëditjeve në linjë me rekomandimet e Instituti GAP dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit. /I. Shabani/kosovapress
Top Channel