Në zonën e plazhit, tek Mali i Robit, ndërtuesit apo pronaret e objekteve kanë filluar të suvatojnë apo rregullojnë pallatet apo hotelet edhe pse në dukje, disa prej tyre kanë probleme edhe në strukturë.

Problem që  mund ta përcaktojnë vetëm specialistët. Kjo zonë, ka banesa të cilat përdoren nga pronarët e tyre vetëm gjatë sezonit turistik, ndaj edhe nuk ka kush të denoncojë për ta.

Gazetarët e Fiks Fare në një nga daljet në këtë zonë, vunë  re se një pallat në dukje kishte plasaritje por edhe shkëputje të një pjese të kolonës. Në një pjesë të tij ishte duke u punuar, suvatuar dhe lyer.

Gazetarët e Fiksit ndaluan të pyesin nëse ky pallat ishte inspektuar dhe shpallur i banueshëm.  Ndër të tjerë për të dhënë informacion lidhur me inspektimin u afrua edhe drejtuesi teknik i firmës që kishte ndërtuar objektin. Drejtuesi teknik i firmës së ndërtimit dhe një inxhinier që e shoqëronte pretendoi se ky pallat, e  kishte kaluar ekspertimin dhe ishte i banueshëm. Problemet që ka me muret do të rregullohen nga firma.

Pas konfirmimit që  bëri drejtuesi teknik, që pallati ishte shpallur i banueshëm Fiksi kontaktoi me policinë për të konfirmuar zyrtarisht informacionin. Pas 20 minutash pritje,  në vendngjarje mbërriti  i plotfuqishmi i zonës. Ai nuk i mori gazetarët në telefon, por u drejtua për tek ambienti ku po punohej. Vetëm pasi  bisedoi pak me ta dhe bëri foto, ai kontaktoi me gazetarët. Inspektori i zonës deklaroi se ky pallat ishte inspektuar nga grupet e njësisë vendore dhe se ishte i banueshëm. Këtij pallati nuk i ishte vendosur asnjëherë shiriti për të bërë një inspektim më të detajuar. Polici edhe pse inspektoi ambientin ku ishte suvatuar kollona dhe nga jashtë pretendoi se aty vetëm po lyhej dhe bëri foto vetëm në brendësi. Gjithashtu pretendoi të mos kishte dijeni për pallatet ngjitur të cilat edhe ato ishin duke u suvatuar.

Gazetarët e Fiksit njoftuan edhe Kryetarin e Bashkisë Kavajë. Pak minuta më vonë njëri  nga drejtuesit e grupit të inspektimit u lidh në telefon me grupin e xhirimit. Pas sinjalizimit në objekt mbërritën jo një, por tre grupe inspektimi të Bashkisë Kavajë që gjendeshin  në terren.   Pasi inspektuan pallatin ata i vendosën shiritin, pasi sipas tyre ishte rrezik për banorët, duke qenë se toka është akoma në lëvizje. Sipas drejtuesit të grupit, ky shirit që u vendos pas denoncimit të Fiksit duhet të ishte vendosur më parë, por nuk kanë arritur të kordinohen me grupet e tjera të inspektimit. Ky pallat është parë vetëm nga punonjës të hipotekës që nuk janë inxhinerë. Pasi u pa nga inxhinierët u konkludua që pallati është në rrezik dhe ka nevojë për një akt ekspertimi. Akt ekspertimi që nuk ishte bërë asnjëherë, pavarësisht pretendimeve të drejtuesit teknik të firmës së ndërtimit.

 

 

 

FOTO GALERI
2/6

Top Channel