Padia për Dvoranin, Meta: Prokuroria të bëjë punën me profesionalizëm, të mos jetë nën presione politike

10/12/2019 13:27

Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës, ku u pyet për kallëzimin ndaj Ardian Dvoranit.

Presidenti Meta bashkë me juristët e presidencës mendojnë se kreu i KED-së, Ardian Dvorani ka shpërdoruar detyrën. Shpërdorimi i detyrës është kolona kryesore ku bazohet padia. Dëshminë e tij presidenti Meta e dha përpara prokurorit Alket Mersini.

Në deklaratën e tij për media është shprehur se ka kryer kallëzim penal ndaj Dvoranit për dy vepra të qarta penale, shpërdorim detyre dhe përvetësim të kompetencave, të përmbushura me dashje nga ana e tij.

“Jemi këtu në respekt të pritjes tuaj dhe natyrisht nuk mund të largohem pa respektuar edhe vëmendjen tuaj dhe durimin tuaj, pavarësisht se ka çështje më të mprehta. Me pak fjalë jam këtu në përgjigje të ftesës nga Prokuroria pas kallëzimit penal që kam bërë për Dvoranin, për dy vepra të qarta penale, të përmbushura me dashje prej tij. Besoj se kemi dhënë sqarime të mëtejshme dhe plotësuese, në vijim të provave dhe dokumentave që kemi dorëzuar me kallëzimin penal, rasti është flagrant”, shprehet Meta.

Meta ka shtuar se të gjitha provat e depozituara deri tani janë të mjaftueshme që prokuroria të veprojë ndaj Dvoranit duke shtuar se Prokuroria duhet të bëjë punën e saj me profesionalizëm pa rënë nën presione politike.

“Kushtetuta e thotë shumë qartë në nenin 4, pika 2, se kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Lidhur me këtë çështje integriteti është jashtëzakonisht i një interesi mbarëkombëtar. Në këtë drejtim dua të siguroj shqiptarët se presidenti ka zbatuar dispozitat kushtetuese. Të gjitha provat e depozituara deri tani janë të mjaftueshme që prokuroria të veprojë ndaj Dvoranit, ne nuk bëjmë presione. Prokuroria ka pasur çështje të lidhura me tërmetin e 26 nëntorit por kjo është një çështje që askush nuk mundet ti shmanget, ne jemi të qetë dhe të duruar, ne do të bashkëpunojmë ngushtë me prokurorinë, ky është një rast flagrant”, tha Presidenti i vendit.

“Pa dashur të vazhdoj më tej me këtë çështje, sepse vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme pas tërmetit, por mund t’ju them se ne do të vijojmë të komunikojmë me qetësi me durim me argumenta me të gjithë qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të mbrohen dhe garantohen të drejtat e tyre kushtetuese. Sapo të kthehem në zyrë, Tedi Blushi do të publikojë spotin e parë për çështjen në fjalë.

Presidenti ka qenë është dhe do të jetë garant i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. I fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në mënyrë të përgjegjshme. Presidenti e di shumë mirë detyrën e tij “, përfundon fjalën e tij Meta.

Top Channel