Presidenti francez Macron është i vendosur t’i përmbahet rrugës së nisur për reformat e pensioneve, pavarësisht bllokimit të transportit nga grevat e vazhdueshme në vend. Planet e qeverisë së tij do të prezantohen më vonë këtë javë.

Sindikatat e Francës, të cilat pretendojnë se reformat do të detyrojnë shumë njerëz të punojnë më gjatë për një pagesë më të vogël në pension, e filluan protestën e tyre të enjten. Greva masive bllokoi udhëtarët, mbylli disa shkolla dhe goditi turizmin në Paris dhe në rajone të tjera.

Macron, një ish-bankier investimesh, argumenton se rregullimi i pensionit do ta bëjë sistemin aktual të pensionit, i cili është i ndërlikuar, i vjetëruar, më të ndershëm dhe të qëndrueshëm financiarisht, duke shkrirë 42 plane të ndryshme për pagesat e pensioneve në një. Qeveria thotë se nuk do ta ndryshojë moshën zyrtare të daljes në pension në 62 vjeç, por projekti pritet të përfshijë kushte financiare për të inkurajuar njerëzit të punojnë më gjatë, meqenëse jetëgjatësia është shtuar.

Plani i ri i daljes në pension do të prekë të gjithë punonjësit francezë, por grevat janë shtrirë kryesisht te punëtorët e sektorit publik, mes tyre edhe shoferët e trenave, mësuesit dhe punonjësit e spitaleve. Në fundjavë, udhëtarët përjetuan një kaos më të madh udhëtimesh, pasi shumica e trenave francezë nuk qarkulluan. Ndërprerje pati edhe në itenerarët ndërkombëtare të trenave.Tre sindikatat kryesore të hekurudhave që kanë bërë thirrje për aksionin, kërkojnë që protesta të rritet, përpara një greve tjetër të përgjithshme dhe protestave masive të paralajmëruara këto dite.

Top Channel