Në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, sot u konstatua se ka ende raste të shumta të mos respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë pavarësisht avancimit të kornizës ligjore.
Ndër probleme të tjera janë paraqitur edhe në procesin e koordinimit ndërmjet institucioneve për përmirësimin ose fuqizimin e të drejtave të njeriut.
Zëvendësshefi i Zyrës së BE në Kosovë, Riccardo Serri tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë politika të mirëfillta dhe në strategjinë e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse për të drejtat e njeriut.
“Qeveria dhe kuvendi duhet të ketë një rol më aktiv. Gjyqësori duhet të zbatojë legjislacionin. Ne si BE kemi mbështet Kosovën për të drejtat e njeriut. BE nuk bën vetëm investime, por jep edhe këshilla për të drejtat e njeriut. BE do të vazhdon ta mbështesë Kosovën”, tha Serri.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari me këtë rast tha se ka mungesë të koordinimit institucional dhe me shoqërinë civile për të gjeturat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.
“Në tri shtyllat kryesore të shtetit, ka mangësi sistematike të cilat ndikojnë negativisht në shoqëri. Sistemi gjyqësor vazhdon të përballet me zvarritje të stërzgjatura të trajtimit të lëndëve për të drejtat e njeriut”, tha Jashari.
Sadete Demaj-Kajtazi koordinatore e Zyrës për Qeverisje të Mirë në ZKM tha se Kosova ka avancuar dukshëm legjislacionin në fushën e të drejtave të njeriut, por problemet ndodhin gjatë zbatimit të këtyre ligjeve.
“Përkundër problemeve që kanë ndodhur, ka një progres. Janë duke u trajtuar edhe rekomandimet e institucionit të Avokatit të Popullit”, tha ajo.
Një fjalë rasti mbajti edhe Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila tha se sfidë mbetet implementimi i ligjeve në fuqi.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari paralajmëroi se nesër shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, ku do të mbahet një marsh në Prishtinë./I.Shabani/kosovapress
Top Channel