Shpërthimi i vullkanit në Zelandë, asnjë shenjë të mbijetuarish

09/12/2019 17:43

Fluturimet e zbulimit mbi Ishullin e Bardhë në Zelandën e Re nuk kanë identifikuar asnjë të mbijetuar atje, pas shpërthimit të së hënës. Mbi 50 persona mendohet se ndodheshin në ishull. Pesë vetë janë konfirmuar të vdekur dhe 23 janë shpëtuar.

Turistët ishin parë të ecnin brenda në kraterin e vullkanit të ishullit të bardhë, disa momente para shpërthimit të tij. “Bazuar në informacionet që kemi, ne nuk besojmë se ka të mbijetuar në ishull – tha policia në deklaratën më të fundit të saj. Ishulli i Bardhë, i quajtur edhe Whakaari, është vullkani më aktiv i vendit. Pavarësisht kësaj, ishulli privat, është një destinacion turistik me ture të shumta ditore dhe fluturime panoramike .

Zyrtarët e policisë thanë se mes viktimave kishte turistë neozelandezë dhe të huaj. Skuadrat e shpëtimit nuk kanë mundur të arrijnë ishullin për shkak të rrezikut të shpërthimeve të reja.

Më 3 dhjetor, monitoryesit paralajmëruan se vullkani mund të hynte në një periudhë në të cilën aktiviteti i tij do të ishte më i lartë se normalja, edhe pse kishin shtuar se niveli aktual i aktivitetit nuk përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për vizitorët. Gjatë viteve, ishulli i bardhë ka regjistruar disa shpërthime, më i fundit në 2016, por askush nuk ishte lënduar në atë event.

Top Channel