Kosova po vazhdon të ketë shkallë të lartë reale të korrupsionit. Mbi 42 përqind e bizneseve në Kosovë besojnë se shkalla e korrupsionit është rritur gjatë këtij viti. Megjithatë vetëm 22 përqind e tyre e raportojnë atë në institucionet adekuate, pasi të njëjtit po frikësohen për hakmarrje ndaj bizneseve të tyre. Madje, për këtë fajtor po bëjnë sundimin e dobët të ligjit.
Kështu u tha sot në prezantimin e të gjeturave të studimit rreth përceptimit të korrupsionit sipas bizneseve, i cili është bërë nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin Aktiviteti për Drejtësi Komerciale të USAID.
Ardita Hajra, zyrtare e politikave në Odën Amerikane, theksoi se papunësia dhe korrupsioni po nxisin emigrimin e fuqisë punëtore. Në këtë studim, ajo tha se janë përfshirë 256 biznese në shtatë qytete të Kosovës.
Hajra: Papunësia dhe korrupsioni janë duke e nxitur emigrimin
“Si vitin e kaluar edhe këtë vit korrupsioni ka dalur të jetë një nga problemet kryesore në vend. Megjithatë 42 përqind këtë vit e shohin migrimin e fuqisë punëtore, si një nga sfidat kryesore. Sektori i cili pretendon se ballafaqohet më së shumti me këtë problem janë kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, pasuar me ndërmarrjet prodhuese me 20 për qind dhe shërbimet profesionale në 16 përqind…Mund të supozojmë që papunësia dhe korrupsioni janë duke e nxitur një formë emigrimin e fuqisë punëtore. Është mirë që këto dy të fundit të trajtohen me seriozitet”, tha ajo.
Krahas kësaj, Hajra ka theksuar se nga të gjeturat e këtij studimi del se 42 përqind e tyre besojnë se korrupsioni është rritur, megjithatë këta të fundit nuk po e raportojnë atë. E mbi 83 përqind e tyre, kanë thënë se korrupsioni po i pengon ata në investime direkte.
Hajra: Vetëm 22 përdind e bizneseve e kanë raportuar korrupsionin
“Të gjitha bizneset që kanë hasur në korrupsion, vetëm 22 përqind prej tyre e kanë raportuar atë. 40 përqind të bizneseve që e kanë raportuar korrupsionin e kanë bërë atë në institucionin ku ka ndodhur korrupsioni, 46 përqind në Polici apo Prokurori, shtatë për qind në Agjencionin Kundër Korrupsionit dhe shtatë për qind në media. Natyrisht që ka mjaft arsyeje pse bizneset hezitojnë që të raportojnë korrupsionin. 63,67përqind është frika e hakmarrjes ndaj biznesit nga institucionet respektive. Pastaj mungesa e besimit ndaj institucioneve gjyqësore, si dhe pakënaqësia me rezultatet e luftimit të korrupsionit”, ka shtuar Hajra.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se studimi sjell të gjetura që duhet të shihen me shqetësim nga qytetarët e vendit. Sipas tij, në Kosovë ka shkallë të lartë reale të korrupsionit.
Zeka: Në Kosovë ka shkallë të lartë të korrupsionit real
“Ajo çfarë mbetet shqetësuese edhe nëse e krahasojmë me studimin e vitit të kaluar edhe këtë vit, është që ekziston një prani e madhe e korrupsionit real, nuk po flasim vetëm për përceptimin megjithëse duhet potencuar që boshllëku ndërmjet korrupsionit të përceptuar edhe korrupsionit real, megjithatë është i madh…Gjë tjetër që është me shqetësim është po ashtu që bizneset vazhdojnë të ngurojnë të raportojnë korrupsionin tek autoritetet relevante ”, tha Zeka.
E Chris Thomson, drejtor për drejtësi komerciale në USAID, tha se pas rezultateve shqetësuese dhe pranisë së madhe të korrupsionit, Qeveria e re duhet ta formojë Gjykatën Komerciale.
Thomson: Ky projekt ka për synim zvogëlimin e mundësisë për korrupsion
“Projekti im këtu ka filluar këtë vit dhe do të zgjas për 5 vjet deri më 2024. Aktiviteti për drejtësi komerciale ka për qëllim t’i zvogëloj mundësitë për korrupsion dhe ta përmirësoj përceptimin e bizneseve dhe të qytetarëve ndaj korrupsionit. Duke i përmirësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare brenda dhe jashtë gjykatave, duke zbatuar gjykimet të nxjerra nga gjykata, dhe duke ndërtuar ndërgjegjësimin publik për ndërlidhjen në mes investimit në drejtësi komerciale, rregullave ekonomike dhe barazisë në Kosovë, një Kosovë që ka një mjedis të sundimit të ligjit”, u shpreh ai.
Nertilë Latifi, specialiste për drejtësi komerciale në USAID, njoftoi se 4% e bizneseve janë deklaruar se nuk do ta raportojnë korrupsionin. Siç tha ajo, ryshfeti, keqpërdorimi i parasë publike, si dhe nepotizmi mbesin faktorët kryesor të korrupsionit.
Ndryshe, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, për vitin e katërt me radhë, janë bërë bashkë në Javën Kundër Korrupsionit, e cila nisi sot
Top Channel