Mjaftoi një kopertinë kontroverse në shtypin sportiv italian për të rikthyer në diskutim fenomenet negative të racizmit në futbollin e apenineve. Në një kohë që Mario Baloteli kërcënon me braktisje të fushës pasi e ofendojnë prej ngjyrës së lëkurës, dhe presidentë të ndryshëm të ekipeve lëshojnë fraza kompromentuese, tani edhe titujt janë shokues.
Korriere Delo Sport po vuan kritika të shumta për numrin e kësaj të enjteje. Black Friday e ka cilësuar gazeta e përditshme ndeshjen mes Interit dhe Romës, një analogji me sezonin e uljeve por gjithashtu me dy lojtarët e ekipeve respektive, Kris Smolling dhe Romelu Lukaku. Ky i fundit ka qenë në qendër të disa episodeve raciste që kur u largua nga Mançester Junaitid drejt Serisë A.
“Është totalisht shokuese dhe jam i zhgënjyer. Thuajse nuk e besoj se çfarë kanë shkruar” tha Mikael Jormak, përfaqësuesi i sulmuesit të Interit kur u pyet mbi kopertinën e Korriere Delo Sport. Ai nënvizoi se racizmi mbetet problem madhor në Serinë A, dhe për luftën ndaj tij po bëhet shumë pak.
Top Channel