Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se ka dëbuar dy diplomattë rusë, pasi prokurorët gjermanë thanë se dyshojnë për përfshirjen e Moskës në vrasjen e një shtetasi gjeorgjian në Berlin.

Ministria tha se dëbimi vjen pasi autoritetet ruse nuk u janë përgjigjur kërkesave të vazhdueshme për të ndihmuar në ndriçimin e vrasjes së Zelimkhan Khangoshvilit, në muajin gusht.

Khangoshvili, 40 vjeç, ka luftuar më herët së bashku me separatistët në rajonin rus të Çeçenisë.

Një shtetas rus, i dyshuar për kryerjen e vrasjes, u arrestua shumë shpejt pas aktit.

Prokurorët federalë të Gjermanisë thonë tani se kanë mbledhur disa prova që sugjerojnë përfshirjen e Qeverisë ruse ose të Republikës Çeçene në këtë rast.

Ministria e Jashtme gjermane i identifikoi diplomatët e dëbuar vetëm si punonjës në Ambasadën e Rusisë në Berlin, por nuk dha detaje të tjera.

Ministria e Jashtme e Rusisë reagoi ashpër ndaj këtij lajmi, duke thënë se dëbimet janë “të pabaza dhe jomiqësore” dhe se Moska “do të duhet të ndërmarrë një sërë masash si përgjigje”./REL

Top Channel