Liderët e NATO-s nisën sot zyrtarisht takimin e tyre afër Londrës, ndërkohë që tensionet mes vendeve anëtare kërcënojnë të lënë në hije samitin që shënon ditëlindjen e 70 të aleancës ushtarake.

Për tre orë me radhë, liderët pritet të bisedojnë dhe të mbulojnë çështje si sulmet kibernetike dhe sfidën strategjike që vjen nga Kina.

Në këtë samit, merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që u detyrua të largohej nga vendi, pavarësisht situatës kritike si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, duke premtuar se ai do ta shfrytëzojë takimin për të kërkuar ndihmën e aleatëve për kthimin në normalitet dhe rindërtimin e zonave të prekura. Në foton familjare të samitit, kryeministri Edi Rama u shfaq në krah të liderëve të tjerë botërorë, mes të cilëve mbretëresha Elisabeth, presidenti amerikan Donald Trump, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidenti turk Recep Tayip Erdogan etj.

Para nisjes për në Londër, Rama tha se sensibilizimi maksimal për solidarizim me të prekurit nga tërmeti në Shqipëri do të jetë në fokus të bisedimeve të tij me liderët botërorë. Ndërkohë, kryeministri ka ndarë në rrjetet sociale edhe foton familjare të samitit duke shkruar poshtë saj, “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, një mesazh ky drejtuar banorëve të prekur nga tërmeti.

Aleanca e atlantikut verior u themelua në 1949 me vetëm 12 vende anëtare por tani është zgjeruar me 29 anëtarë ndërkohë që ka hapur dyert edhe për anëtaren e 30 të saj, Maqedoninë e Veriut.

 

Top Channel