Mungesa e unitetit në NATO ishte e dukshme në ditën e hapjes së samitit në Londër, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi Turqinë për bashkëpunim me grupet e lidhura me ISIS-in, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, tha se komentet e homologut francez për vdekjen e trurit të NATO-s janë shumë fyese.

Në anën tjetër, presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, kërcënoi se do të vendosë veto ndaj planit të NATO-s për t’i mbrojtur vendet baltike dhe Poloninë, nëse aleanca nuk i cilëson zyrtarisht luftëtarët kurdë si grup terrorist. Kjo gjë u refuzua nga Pentagoni dhe presidenti francez. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përsëriti thirrjen që shtetet anëtare t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes, duke paralajmëruar se do të vendosë sanksione tregtare ndaj tyre, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Presidenti francez kishte thënë më parë se NATO-s i ka vdekur truri, duke aluduar në ofensivën ushtarake të Turqisë në Siri pa ndonjë koordinim me vendet anëtare. Ai paralajmëroi se ISIS-i është duke u kthyer në Siri për shkak të veprimeve të Turqisë. Macron-i reagoi edhe ndaj vendimit të Turqisë për blerjen e sistemit raketor rus, duke thënë:

“Si është e mundur që Turqia të jetë anëtare e NATO-s dhe ta blejë sistemin rus, S-400. Teknikisht, kjo është e pamundur”, shkruan “The Guardian”.

Ndjesia e mospajtimit, u shfaq edhe në një seri konferencash për shtyp të mbajtura nga presidenti amerikan. Mbrëmjen e të martës ndërkohë u shfaqën edhe disa pamje, nga pritja e liderëve në Buckingham Palace, ku shihej Macron, kryeministri britanik Boris Johnson dhe ai kanadez Justin Trudeau që duket se shpotisnin daljet e stërzgjatura në media të Donald Trump.

Top Channel