Meta: Çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar media kritike

30/11/2019 20:02

Presidenti Ilir Meta nëpërmjet një statusi në “Facebook” ka falenderuar gazetarët për punën e  tyre gjatë këtyre ditëve.

Ai gjithashtu ka shkruar se mediat kritike nuk duhet të sulmohen apo mbyllen.

Falenderoj të gjithë gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet teknike mbështetëse për raportimin e saktë dhe në kohë reale ditë-natë, në kushte aspak të lehta, të situatës tepër të rëndë dhe të pasojave tragjike në jetë njerëzore dhe prona, që la pas tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit.

Me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë.

Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike.

Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve dhe për këtë meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të madhe!

Top Channel