Merr jetë faza finale e Euro 2020. Në kryeqytetin e Rumanisë Bukuresht, një nga 12 qytet organizatore të Europianit të verës së ardhshme është hedhur pasditen e sotme shorti i fazës së grupeve, ku rëndësi për të gjithë shqiptarët përbën Kosova.
Në rast se dardanët triumfojnë në play-off e Ligës D të Ligës së Kombeve ndaj përfaqësueseve si Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia e Bjellorusia do të bëjë pjesë në grupin C të fazën finale të Europianit, dhe do të sfidojë përfaqësuese të tilla si Ukraina, Holanda e Austria, por kjo do të ndodhë vetëm nëse play-offin e Ligës A të Ligës së Kombeve nuk e fiton Rumania pasi në rast të kundërt Kosova do të spostohet në grupin F që është grupi i ferrit pasi bëjnë pjesë tre përfaqësuese të mëdha si Gjermania, Franca dhe kampionët në fuqi të Portugalisë. Short disi me fat për Italinë që u shortua në grupin A bashkë me Turqinë, Zvicrën dhe Uellsin.
Grup i lehtë në letër edhe për Belgjikën që i njihte që më parë dy nga kundërshtarët e saj që ishin Rusia dhe Danimarka ndërkohë që në grupin B shkoi edhe Finlanda. Në grupin D Anglia do t’i masë forcat me Kroacinë ku do të kërkojë të marrë për gjysmëfinalen e humbur në Euro 2020 por edhe me Republikën Çeke dhe fituesen e play off-it të Ligës C të Ligës së Kombeve ku bën pjesë edhe Skocia që është vendet organizatore të Euro 2020 por edhe Norvegjia, Serbia e Izraeli. Grupi E për Spanjën që do t’i luajë ndeshjet e saja në Bilbao dhe do t’i masë forcat me Suedinë, Poloninë dhe fituesen e play off-it të Ligës B të Ligës së Kombeve ku bëjnë pjesë Bosnje Hercegovina, Sllovakia, Republika e Irlandës dhe Irlanda e Veriut. Europiani i verës së ardhshme do të jetë i veçantë pasi do të zhvillohet në 12 vende të ndryshme me rastin e 60 vjetorit të Europianit të parë që është luajtur. Në raundin e 1/16-ave kualifikohen vendet e para dhe vendet e dyta të çdo grupi dhe 4 vendet e treta më të mira.
Grupi A
1- Turqia
2- Italia
3- Uells
4- Zvicra
Grupi B
1- Danimarka
2- Finlanda
3- Belgjika
4- Rusia
Grupi C
1- Holanda
2- Ukraina
3- Austria
4- Fitues i Play-Off D (Gjeorgji, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Bjellorusi )
Grupi D
1- Anglia
2- Kroacia
3- Fitues i Play-Off C (Skoci, Norvegji, Serbi, Izrael)
4- Republika Çeke
Grupi E
1- Spanja
2- Suedia
3- Polonia
4- Fitues i Play-Off B (Bosnjë-Hercegovinë, Sllovaki, Irlandë, Irlandë e Veriut)
Grupi F
1- Fituesi i Play-off A (Islandë, Bullgari, Hungari, Rumani)
2- Portugalia
3- Franca
4- Gjermania
Top Channel