Thumana i ka dhënë lamtumirën  e fundit 6 pjesëtarëve të familjes  Cara, 3 pjesëtarëve të familjes Greku dhe 2 pjesëtarëve të familjes Vata.

Arkmortet e tyre u vendosën në ambientet e kinemasë së Thumanës, përballë kampit në të cilin janë strehuar ata që mbijetuan.

Vdekja u përball me jetët e gjalla të atyre të cilëve tashmë kanë si vend qëndrimi çadrat e këtij kampi.

Që në orët e para të paradites, një lum njerëzish mbipopulluan rrugët e Thumanës, në radhë për të shtrënguar duart me familjarët e atyre që fati e deshi të humbin jetët nga ky tërmet.

Mes tyre shokët e shoqet e klasës së 18 vjeçarit Hasan Cara. Pak përpara se arkmortet të drejtoheshin drejt varrezave, ngushëllimeve iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama.

Me kokat, ulur e me  lot në sy, por me kurajë për ta tejkaluar dhimbjen  banorët e Thumanës formuan një radhë të gjatë drejt varrezave.

I pari që preku tokën ishte arkmorti i  Saimir Gregut, që doli i gjallë nga rrënojat e pallatit por humbi jetën në spital.

Saimiri do të prehet në përjetësi duke patur në krah prindërit 75 vjeçar nënën Celike dhe Babain Pëllumb.

Pas lutjes sipas riteve myslimane, në  6 varre njëri pas tjetrit, drejt jetës së përtejshme,  do të vendoseshin Anthi, Fatmira, Almiri, Erisa, Sadajana dh Hasan Cara.

Ndërsa në fshatin Bërdhenë iu dha lamtumira e fundit Hajrie Vatës 62 vjeçe dhe Rolejdit, nipit të saj 7 vjeç.

Natyrshëm këto momente të shumtë ishin ata që ngritën kokat duke parë nga fuqia e Zotit në qiell. Të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri.

Gazetari  i Top Channel Muhamed Veliu e mbyll me këto fjalë, raportimin e tij nga kjo ceremoni mortore në Thumanë.

“Ky është raportimi im i fundit nga ky komunitet të cilit tërmeti i 26 nëntorit ia plagosi shpirtin, duke ia marrë në mënyrë tragjike 22 pjesëtar të tij. Kemi përcjell momentet e shpëtimit të jetëve nën rrënoja dhe ato më dramatiket të fëmijëve pajetë që iu pre jeta në mes. Uroj të rikthehem këtu për raportime krejt të ndryshme, raportime jo me vdekje të këtyre përmasave por të jetës së re pas tragjedisë e cila s’do jetë  e njëjtë si më parë”.

Top Channel