Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha. Por po aq i madh po rezulton edhe solidariteti i shqiptarëve me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi.

Në vetëm dy ditë donacionet e dhuruara nga qytetarët, diaspora dhe disa biznesmenë si ndihma për të prekurit nga tërmeti mendohet t’i ketë kapur 15 milionë euro.

Mijëra qytetarë të zakonshëm, biznesmenë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, por edhe shtetas të huaj kanë dhuruar para dhe ndihma për të lehtësuar rimëkëmbjen nga pasojat shkatërruese të tërmetit.
Vetëm përmes faqes “GoFundMe” dhe Facebook janë dhuruar afro 4 milionë dollarë deri mesditën e së premtes. Sipas ‘GoFundMe’ dhuruesit kanë ardhur nga 76 shtete të ndryshme, ku shumica janë shqiptarë të diasporës.

Nga këto fonde, 1.4 milionë dollarë janë mbledhur nga një bashkëpunim i gazetarit të Top Channel Marin Mema me organizatën Rrënjët Shqiptare, që e ka qendrën në Nju Jork. Paralelisht rol të madh në mbledhjen e donacioneve kanë patur edhe dy organizatat shqiptare të bamirësisë “Fundjavë Ndryshe” me 1.5 milion dollarë dhe “Shqiptarët për Shqiptarët” me 870 mijë dollarë.

Por nismës për të dhuruar i janë bashkuar edhe biznesmenët nga Shqipëria dhe Kosova. Behgjet Pacolli, biznesmeni dhe zëvendëskryeministri kosovar dhuroi 1 milionë euro.

Pak orë më pas, Shefqet Kastrati, njoftoi dhurimin më të madh privat në historinë e Shqipërisë. Biznesmeni shqiptar i naftës dhuroi plot 1.5 milionë euro, ndërsa u bëri thirrje të gjithë të pasurve për të dhuruar në ndihmë të familjeve të prekura nga kjo tragjedi.

Pas Kastratit, dhuruesve ju bashkua Samir Mane me 1.2 milionë euro, Aeroporti i Rinasit me 1 milionë euro dhe Bankers Petroleum me 1 milionë dollarë.

Ndërkohë ne Elbasan u mblodhën një grup biznesmenësh për te kontribuar për të dëmtuarit nga tërmeti.

Kontribute ka patur edhe nga këngëtarë apo artistë shqiptarë me famë botërore si Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Rita Ora, por edhe nga shumë qeveri të vendeve të tjera.

Top Channel