Një zjarrfikës vullnetar në Australi është akuzuar se ka ndezur qëllimisht shtatë zjarre në natyrë, në kohën kur vendi po përballet me qindra zjarre dhe krizë mjedisore.

Policia australiane arrestoi vullnetarin 19-vjeçar në një zonë në jug të qytetit Sydney. Shërbimi i zjarrfikësve tha se kjo vepër është tradhti e madhe ndaj zjarrfikësve që po luftojnë me zjarret.

Gjashtë persona kanë vdekur dhe më shumë se 650 shtëpi janë djegur nga zjarret që filluan në pjesën lindore të Australisë në shtator. Megjithatë, zjarrfikësi i arrestuar nuk akuzohet për vdekjen e ndonjë personi.

Zjarrfikësit e rajonit New South Wales thonë se kanë më së shumti zjarrfikës vullnetarë në botë. Shumica e stafit të tyre përbëhet nga vullnetarët. Ky rast i ka shqetësuar ata, sepse po frikësohen se do t’ua dëmtojë reputacionin dhe punën e madhe që e kanë bërë.

Policia thotë se është duke hetuar disa zjarre që dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht në Bega Valley që nga tetori.

Top Channel