Një tragjedi si kjo e 26 nëntorit, që do të mbetet e rrënjosur në memorien tonë kolektive, ka nxjerrë në pah dhe një frymë të jashtëzakonshme solidariteti nga vendet fqinj e përtej.

Të gjithë vendet pranë Shqipërisë, përfshirë Greqinë e Italinë, ofruan menjëherë ndihmën e tyre pas tërmetit më të madh në dekada të tëra. Kosova, Mali i zi e Serbia nxituan të dërgonin ekipe specialistësh; skuadra ekspertësh rumunë me qen të stërvitur u janë bashkuar operacioneve të kërkimit.

Krerët më të lartë evropianë u shprehën menjëherë të gatshëm të ofronin ndihmën e tyre. Qeveria e Kosovës dhuroi 500 mijë euro ndihmë, por edhe njerëzit e thjeshtë u përpoqën të jepnin kontributin e tyre sado modest në këto momente të vështira për Shqipërinë. Ata përdorën rrjetet sociale për t’u ofruar shtëpitë e tyre kujtdo që është prekur nga tërmeti e ka nevojë për strehim.

Prekës edhe momenti kur u nis drejt Durrësit kolona e mjeteve të Mbrojtjes Civile puljeze.

“Le të mbështesim vëllezërit dhe motrat tanë shqiptarë, që u goditën rëndë nga tërmeti,” thanë zjarrfikësit italianë. Njëqind vullnetarë janë rrugës e të tjerë po vijnë nga Molise të koordinuar nga Mbrojtja Civile Italiane. Shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias zbarkoi brenda ditës në Shqipëri, për një vizitë të paplanifikuar; ministri i Shëndetësisë dhe ai i Brendshëm i Malit të Zi, Kenan Hrapoviç dhe Melvudin Nuhodzic, erdhën në Thumanë, për ta parë nga afër gjendjen në zonën e goditur më rëndë nga tërmeti.

Ata ofruan ndihmë përmes dërgimit të ekipeve të shpëtimit dhe atyre mjekësore, por edhe me trajtimin e të lënduarve në spitalet malazeze. Shefi i shtabit të Ushtrisë Kroate, gjenerali Mirko Sundov, njoftoi se Kroacia do të dërgojë dy helikopterë dhe një njësi të mbrojtjes civile të Ministrisë së Mbrojtjes për të ndihmuar Shqipërinë në operacionin e rimëkëmbjes. Sektori i emergjencës në Ministrinë e brendshme serbe do të dërgojë 13 specialistë, e Presidenti serb Aleksandar Vucic ofroi dhe ndihma të tjera.

“Jemi me mendje te viktimat e tërmetit të rëndë në Shqipëri dhe vendet fqinje. Gjermania ka ofruar ndihmën e saj. Një ekip i Agjencisë Federale të Ndihmës Teknike (THË) është në gatishmëri për të mbështetur Shqipërinë në kuadër të strukturës së BE-së në përgjigje të krizave”, shkroi në Twitter zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffan Seibert, ndërsa në selinë e NATO-s, flamuri i Shqipërisë u ul në gjysmështizë. Ne nje gjest mbështetje dhe solidariteti me banoret e zonave te prekura nga tërmeti edhe shoqata me e madhe e tifozëve të ekipit grek te futbollit te PAOKut te Selanikut ka ftuar gjithë banoret e qytetit verior te Greqisë të mbledhin ndihma për qytetarët shqiptarë shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga lëkundjet e fuqishme sizmike. pritet qe aktin simbolik të ndihmës dhe solidaritetit të tifozëve te PAOK-ut, një prej ekipeve me numrin me te madh të përkrahësve të Greqisë ta ndjekin edhe shoqatat e tjera ne vend.

 

Top Channel