Pranë rrethrrotullimi të Teg-ut në autostradën Tiranë-Elbasan. Ora shënon 12:30 minuta pas mesnate dhe kjo rrugë është kthyer në një pistë garash.

Abuzimi në këtë rrugë, fillon që prej orës 10 të mbrëmjes, atëherë kur bie fluksi i makinave dhe rruga krijon kushtet për të testuar shpejtësinë.

Ka edhe nga ata shoferë “SYPATREMBUR”, që shpejtësia e makinës së tyre nuk i druhet as autoritetit të policisë rrugore.

Por nuk ka vetëm gara me makinë. Ka edhe shoferë që siç duket, gara e tyre nuk është me të tjerë, por me veten.

Në jo pak raste, këto gara me makinë kanë edhe audiencën e tyre. Të dyja anët e rrugës, shpesh shihen të jenë edhe me të rinj, të cilët parkojnë makinat e tyre gjatë mbrëmjeve. Më pas fillon sfida, ku makinat testohen pa mëshirë, duke prodhuar incidente të njëpasnjëshme.

Rasti më i fundit kur kjo rrugë u kthye në një skenë krimi, ishte pak ditë më parë kur u nda nga jeta 17 vjeçari, Kristaj Vasili. Ai ishte pasagjer në mjetin mercedez benz ku shoferi po garonte me një tjetër makinë, për të humbur më pas kontrollin e për të prodhuar tragjedinë. Sikur të mos mjaftonte me kaq, të plagosur mbetën shoferi por edhe dy persona të tjerë të cilët kishin parkuar makinën e tyre në anë të rrugës.

Në këtë tragjedi rrugore, arma e krimit, ishte pikërisht makina me të cilën ai po udhëtonte dhe shpejtësia e pakontrolluar.

Është pikërisht kjo rrugë, e cila së fundmi ka tërhequr maksimalisht vëmendjen e policisë rrugore. Në radarët e këtyre të fundit, lexohen shpejtësi të automjeteve të cilat kalojnë përtej dyfishit të shpejtësisë së lejuar.

Për këtë arsye, gjatë javës, vetëm për tejkalimin e shpejtësisë, policia rrugore e Tiranës, iu ka hequr patentën 119 shoferëve. E po ashtu janë gjobitur edhe 229 shoferë, të cilët kanë qenë duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Andi Bora

Top Channel