Mjaftonte përmendja e emrit të drejtuesve të grupit “Bajri” në Shkodër, për të ngjallur frikë dhe për të pasur përfitime të paligjshme të parave apo për të ndikur deri në institucione shtetërore për punësime.

Këtë fakt që Top Channel e ka publikuar shumë më herët ngritjes së akuzës, disponohen ne dosjen e prokurorisë së Krimeve të Rënda. Aty shihet se persona të afërt me Behar Bajrin apo Sirjan Aliajn, kanë marrë para nga të tjerë persona duke iu premtuar ndërhyrje apo zgjidhje të problemeve.

Një nga to është Fjorela Gjonej, e afërt me fisin Bajri, e cila i premton një shoqes së saj Dragana Ceka, të cilën e kishte njohur gjatë viteve të shkollës së infermierisë në Shkodër, se do e ndihmonte të shlyente provimet permes një shokut të saj.

Për këtë arsye, Dragana i jep një milionë lek Fjorelës, por kjo e fundit nuk arrin dot të mbarojë punës. Dragana më pas i kërkon lekët, çka e vë në vështirësi Fjorelën, e cila në një mesazh dërguar një mikes së saj, Xikes, i thotë se duhet t’i ktheje lekët mbrapsht Draganës, pasi nuk ka arritur dot që të mbarojë punë dhe se personat që e kishin marrë përsipër tashmë ishin në burg.

Por përgjimet telefonike tregojnë se skandali thellohet më tej. Jorida Murati është një tjetër person për të cilën u vendos arrest me burg pasi ajo rezulton e përfshirë në aktivitetin e grupit Bajri. Nga periudha Prill-Nëntor 2018, Jorida ka qenë e punësuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, e cila është paraqitur vetëm ditën e parë në punë dhe në asnjë rast tjetër nuk ka shkuar për të punuar si infermiere, detyrë për të cilën është paguar gjate tetë muajve.

Jorida Murati rezulton se për të shmangur ardhjen në punë është ndihmuar nga kryeinfermjera e Spitalit, Florine Hoxha, e cila edhe pse ka qenë në dijeni, ka plotësuar fiktivisht listë prezencën. Për këtë, kryeinfermierja është ndihmuar nga shefi i shërbimit, mjeku Senad Halluni. Zinxhiri i bashkëpunëtorëve në shtet mbyllet me shtetasen Mira Nikaj, financierja e cila ka firmosur kryerjen e pagesave të plota për Joridën.

Për këto ngjarje kriminale, ku përfshihen Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, e një sërë akuzash të tjera, Gjykata e krimeve të Rënda, dha masën e arrestit me burg, për Behar Bajri, Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Sirjan Alia dhe Jorida Murati.

Ndërsa për personelin e Spitalit të Shkodrës, Senad Halluni, Florine Hoxha dhe Mira Nikaj, u dha masa e arrestit shtëpiak.

Andi Bora

Top Channel