Francezët kërkojnë rizgjim kombëtar kundër dhunës në familje. Mijëra protestues marshuan në Paris gjatë fundjavës duke bërë thirrje për një rizgjim dhe më shumë veprime nga qeveria për të parandaluar dhunën në familje.

Sipas njoftimeve, vetëm gjatë këtij viti dyshohet se janë vrarë 130 gra e vajza. Presidenti Emmanuel Macron e cilësoi situatën e krijuar si “turpin e Francës”.

Një valë flamujsh e banderolash në ngjyrë vjollcë u valvitën nëpër rrugët e Parisit si pjesë e një fushate publike kundër dhunës ndaj grave si dhe për t’u bërë homazh dhjetëra grave që dyshohet se janë vrarë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre vetëm gjatë këtij viti. “Mendoj se ka një rritje të nivel të ndërgjegjësimit prej fillimit të lëvizjes “Ne të gjitha”. Fjala” femicide” është bërë pjesë e fjalorit publik dhe lidhet me atë që një grua vritet sepse është grua. Problemi shfaqet kur burri nuk pranon të heqë dorë nga gruaja dhe kjo ndodh shpesh kur çifti ndahet.

Ndodh që procesi të shoqërohet me një vrasje, si një mënyrë për burrin që ta zotërojë gruan”, thotë Beatrice Donnard aktiviste për të drejtat e grave. Megjithëse Franca gëzon një reputacion përparimtar dhe propagandon për të drejtat e grave në të gjithë botën, ajo ka një ndër nivelet më të larta në Europë përsa i takon dhunës në familje, e kjo mendohet se është pasoje e përgjigjes së dobët të policisë ndaj njoftimeve për abuzim. Shumë nga gratë e vrara këtë vit kishin kërkuar më parë ndihmë nga forcat e rendit.

Top Channel