Një aferë spiunazhi mes një ish-agjenti serb dhe një pjesëtari të shërbimeve sekrete ruse ka hedhur dritë mbi raportet mes dy aleatëve teksa presidenti serb thotë se nuk e kupton interesin e Rusisë për të spiunuar partnerin e vet.

Shërbimet informative serbe kanë akuzuar palën ruse për një fushatë të gjerë spiunazhi në vend.

Deklaratën e bëri të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas publikimit në internet të një videoje ku shfaqej një ish-ndihmës-atashe ushtarak i ambasadës ruse në Beograd duke takuar dhe duke i dhënë një çantë me para një ish-oficeri serb.
“Dua t’ju informoj se Republika Serbe i ka dokumentuar vazhdimisht me foto, video dhe zë kontaktet e kolonel-lejtnant Gjorgi Kleban me pjesëtarët e ushtrisë serbe,” deklaroi Vuçiç pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ai tha se incidenti nuk do të ndikojë në raportet e mira mes dy aleatëve.

“Serbia nuk ka bërë asgjë për të rrezikuar miqësinë me Rusinë. Sot i bëra vetëm një pyetje ambasadorit rus, e pyeta ‘përse’, nuk ka logjikë. Unë jam i bindur, të paktën kështu mendoj, se presidenti Putin nuk ka qenë i informuar për këto gjëra,” sh
oi kreu i shtetit serb.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se “marrëdhëniet me Serbinë kanë karakter vëllazëror”, ndërsa Ministria e Jashtme ruse e cilësoi videoxhirimin një provokim.

Serbia mbetet aleate e fortë e Rusisë, edhe pse ndjek rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Këtë pikëpamje e ndajnë shumica e popullit serb edhe për shkak të qëndrimeve të njëjta që Moska mban kundrejt Kosovës.

Top Channel