Kostoja e pastrimit të territorit për qytetin e Gjirokastrës është disa herë më e lartë krahasuar me qytete të tjera në Jug për shkak të terrenit të pjerrët dhe pranisë së përrenjve që përshkojnë disa lagje Kreu i Agjensisë së Shërbimeve Publike Ylli Muho tha se aksioni me një kosto të lartë deri në rrezikun e jetës së punëtorëve të pastrimit për përroin në fjalë nuk e zgjidhi problemin. Sipas tij edhe fushata e ndërgjegjësimit nuk ka dhënë rezultat dhe së shpejti do të fillojë aplikimi i gjobave për ndotësit.
Shumë banorë të zonës hezitojnë të flasin rreth situatës. Të tjerë pranojnë se duhen marrë masa ndërshkuese.
Agjensia e Shërbimeve Publike në Gjirokastër me 5 mjete nga të paktën 8 të nevojshme dhe me një mungesë në të paktën 200 kontenierë flet për një depozitim vjetor prej rreth 21000m kub mbetjesh urbane në vendgrumbullimin e Gërhotit nga e gjithë bashkia. Sasia e pagrumbulluar e mbetjeve që përfundon në përrenj shkon në 10% të sasisë së përgjithshme. Përveç imazhit të disa prej rrugëve më të rëndësishme turistike mbetjet e përrenjve po ngarkojnë me ndotje gjithnjë e më shumë rrjedhat ujore. Gjendja e ujërave të lumit Drino është kritike. Kufinjtë e ndotjes në ujë janë disa herë më të larta se normat e lejuara.
Kristina Fidhi
Top Channel