Konfirmohet pasuesi i Hahn/ Komisionari i ri i zgjerimit: Prioritet negociatat me Tiranën dhe Shkupin

18/11/2019 19:27

Parlamenti Evropian e miratoi Olivér Várhelyin si Komisioner të Zgjerimit të BE-së. Varhelyi, kandidat nga Hungaria, ishte në seancë dëgjimore javën e kaluar, por nuk arriti në atë rast ti bindte plotësisht ligjvënësit e Parlamentit Europian se është i gatshëm për postin.

Atij i është dashur të përgjigjet edhe pyetjeve shtesë me shkrim. Përgjigjet u dërguan paraditen e së hënës dhe kanë qenë të mjaftueshme që deputetët të konfirmojnë emërimin e tij. Varhelyi është kandidati i dytë nga Hungaria për këtë post. Përpara tij ishte në listë emri I Laszlo Troscanyi, i cili është refuzuar nga Parlamenti Europian për shkak të konflikteve të interesit.

Në total, Parlamenti ka refuzuar tre kandidatë nga Hungaria, Rumania dhe Franca. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse Komisioni i ri Europian nuk e ka nisur punën në 1 nëntor, ashtu siç ka qenë e planifikuar fillimisht. Tre kandidatë të rinj nga këto vende e kanë marrë tashmë konfirmimin e Parlamentit Europian, i cili pritet të votojë për paketën e plotë të Komisionit të ri Evropian, më 27 nëntor.

Në paraqitje e bërë konform standardeve gjatë seancës së tij konfirmuese në Parlamentin Evropian, në 14 nëntor, Varhelyi pat vënë në dukje në mënyrë të qartë se vendimi – kryesisht për shkak të pengesave franceze – për të mos hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor të këtij viti ishte “një gabim” dhe tha se një nga prioritetet e tij kryesore do të ishte arritja e një drite jeshile për palët përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor që pritet të mbahet në muajin maj të vitit 2020 në Zagreb.

Top Channel