Pesë persona janë arrestuar në Devoll dhe në Bularat, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, për shkak se po ndihmonin shtetas të huaj, kryesisht sirianë, për të kaluar kufirin. Shqiptarët do u merrnin refugjatëve nga 200 euro.

Aksioni në Kakavijë

Parandalohet një rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, falë kontrollit të rreptë në kufirin e gjelbër, në kuadër edhe të operacionit FRONTEX.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër dhe 1 procedohet në gjendje të lirë.

Si rezultat i kontrollit të brezit të gjelbër, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme, shërbimet e kufirit të gjelbër Kakavijë dhe ato të Frontex-it, në fushat e fshatit Bularat, Dropull kapën shtetasin R. G. 44 vjeç, banues në fshatin Veliten, Maliq, i cili ishte duke pritur disa shtetas sirianë për t’i transportuar në drejtim të Tiranës.

Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër rezultoi se shtetasi i mësipërm bashkëpunonte me dy shtetas të tjerë për të transportuar shtetasit sirianë në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 200 euro për secilin.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. B., banues në Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. L., banues në fshatin Veliten, Maliq.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.

Aksioni në Kapshticë

Policia Kufitare në bashkëpunim me forcat e misionit Frontex dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, finalizojnë operacionin e koduar “Vishotica”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Kapen duke transportuar disa shtetas të huaj, arrestohen në flagrancë 4 shtetas.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me forcat e misionit Frontex dhe strukturat e DVP-Korçë, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së, ku si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-O.Z., 30 vjeç, banues në Tiranë.

-F.S., 39 vjeç, banues në Tiranë.

-I.T., 47 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe organizimit të lotarive të palejuara).

-E.R., 49 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, këta shtetas jane kapur nga strukturat e lartpërmendura, në rrugën Trestenik-Vishoticë, duke transportuar me mjetet tip “Volkswagen Touareg” dhe “Mercedes-Benz”, disa shtetas të huaj, të cilëve iu kishin premtuar kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 200 euro secilit.

Nga ana e Policisë, po punohet për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Top Channel