Në arenën e Cirkut, në Stokholm, Bjorn Ulvaeus, një nga pjesëtarët e grupit muzikor suedez Abba, prezanton muzikalin e ri të tij, bazuar në librin e fëmijëve, Pipi Çorapegjata, të Astrid Lindgren.

Pipi Çorapegjata mbush 75 vjeç në verën e vitit të ardhshëm, dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar, se sa me një show muzikor në bashkëpunim me cirkun.

Bjorn Ulvaeus, është producent dhe përgjegjës për lirikën e show-t që do të performohet live nga një orkestër fluturuese cirku.

Skripti bazohet në historinë kur Pippi, Tomi dhe Anika, shkojnë në cirk dhe takohen me princeshën e cirkut, mis Karmensita, kërcimtaren Elvira dhe njeriun më të fortë në botë, Adolf.

Kur Pipi Çorapegjata shkon në cirk, ajo nuk mund të qëndrojë ulur në një vend. Ndaj argëtimi që premtohet, nga ky muzikal, do të jetë i garantuar. Premiera e Pipit në Cirk do të jetë më 26 qershor të 2020 dhe do të vijojë përgjatë gjithë verës.

Top Channel