Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hyrë në muajin e dytë që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 6 tetor dhe nuk është gati për t’i certifikuar rezultatet përfundimtare të shpallura javën që shkoj. Tashmë me vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e 1428 vendvotimeve të tjera, mund të mos ketë certifikim deri në dhjetor dhe vonim të konstituimit të institucioneve të reja.

Kosova është e para në rajon për stërzgjatje të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore. Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi për zgjedhjet nuk janë vonuar as një muaj për shpalljen e rezultateve dhe certifikimin e tyre. Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress, se në bazë të përvojave të deri tanishme, fatkeqësisht procesi zgjedhor ka marrë tatëpjetën dhe një zvarritje të paimagjinuar, sepse është zhgënjyes fakti për mos efikasitetin e KQZ-së. Përveç kësaj, sipas Baraliut, rritet edhe kostoja financiare me këto stërzgjatje të vazhdueshme. Baraliu thotë se sa më parë rezultatet duhet të certifikohen dhe në zgjedhje tjera të mos zgjasë kaq shumë procesi elektoral.

“Të gjithë ato veprime që ishin plotësisht me standardet demokratike evropiane dhe botërore, tani sikur procesi ka marrë një teposhtëze ose një zvarritje të pa imagjinuar, e cila po shkakton edhe pakënaqësi te qytetarët, sidomos te elektorati i cili ka votuar për ndryshime. Kjo gjithsesi po ndikon në mënyrë indirekte ose direkte në formimin e institucioneve, sepse janë disa çështje që kanë mundur të menaxhohen më ndryshe. Janë disa vendime të disa institucioneve, s’po përmendi me emër që janë mbase edhe kontradiktore”, thotë Baraliu.

Ish kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu pohon se Kosova në vazhdimësi është duke u vonuar në procesimin dhe certifikimin e rezultateve zgjedhore, krahasuar me vendet e rajonit. Ai thotë se duhet të zbatohen teknikat dhe metodat digjitale më moderne që janë në KQZ.

“Zakonisht po sepse zakonisht proceset elektorale qofshin ato të parakohshme ose të rregullta marrin kohë më shumë se 20 ditë, herë – herë një muaj, mbi një muaj, kësaj here si duket do të kaloj muaj dhe paralajmërimet janë të tilla nga vet krerët e KQZ-së që mund të shkoi deri në dhjetor e mos të ketë formim të qeverisë, ndërkohë Ligji për buxhetin nuk është miratuar”, deklaron ai.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, është arsyetuar për vonesën e shpalljes së rezultateve dhe të certifikimit, duke thënë se është e natyrshme, sepse në çdo vend ka specifika të ndryshme të procesit zgjedhor. Elezi thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vepron sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe se është e detyruar të zbatojë të gjitha aspektet ligjore.

“Është e natyrshme që çdo vend ka specifikat e procesit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vepron sipas ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe është i detyruar t’i zbatoj të gjitha aspektet ligjore që parasheh ky ligj. Në këtë drejtim për të ardhur deri tek shpallja e rezultatit përfundimtar, KQZ-së i duhet të kaloj nëpër disa procedura… Në këtë drejtim kemi pasur me qindra vendvotime që është dashur t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit, sepse në këtë rast rinumërimi ka qenë i domosdoshme”, deklaroi Elezi.

Kurse, Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, thotë për KosovaPress, se në zgjedhjet e vitit 2017, shpallja e rezultateve përfundimtare ishte rreth 1 muaj, që njëkohësisht ka ndodhë edhe certifikimi. Hoxhaj thotë se më datë 25.6.2017, në Republikën e Shqipërisë u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, KQZ vendosi të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë me vendim nr. 555 datë 26.07.2017.

“Në Shqipëri shpallja e rezultateve përfundimtare konsiderohet certifikimi përfundimtar i rezultateve”, thotë Hoxhaj.

Në Maqedoni të Veriut për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 11 dhjetor 2016, rezultatet janë certifikuar më 28 dhjetor 2016, ose jo më shumë se tri javë ka zgjatur numërimi dhe certifikimi.Zyrtarë të KSHZ-së në Maqedoni të Veriut pohuan për KosovaPress, se nga përvoja e tyre nuk kanë pasur vonesa asnjëherë në procesin zgjedhor sikur në Kosovë që po ndodhë aktualisht.

“Nga përvoja jonë akoma në vendin tonë nuk ka pasur një gjë e tillë rreth çështjes së shpalljes së rezultateve përfundimtare. Ne menjëherë pas përfundimit të votimit në mënyrë suksesive i shpallim rezultatet që arrijnë nga vendvotimet. Ndërsa pas përfundimit të gjitha afateve të ankesave dhe kundërshtimeve(parashtresave) , i shpallim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”, thuhet në përgjigjen e KSHZ-së për KosovaPress.

Edhe në Mal të Zi, zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 16 tetor 2016, ndërsa më 30 tetor KSHZ i shpalli rezultatet përfundimtare.Ndryshe, për dallim nga zgjedhjet e sivjetshme, në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që ishin zhvilluar më 11 qershor të vitit 2017, nuk ka pasur vonesa më shumë se 1 muaj. KQZ-ja kishte certifikuar rezultatet zgjedhore më 8 korrik 2017.

Top Channel