Trajneri Didier Deschamps është i bindur se franca e tij nuk do ta ketë aspak të lehtë përballjen me Kombëtaren shqiptare.
Në një konferencë për shtyp ku ai u shfaq me disa minuta vonesë, trajneri i Bluve që në Air Albania stadium do të festojë ndeshjen e tij të 100 në krye të Francës bëri vlerësimin e tij për skuadrën kuqezi të Edi Rejas.
“Do të jetë një ndeshje e fortë, pasi Shqipëria do të luajë në stadiumin e ri. Për më tepër shqiptarët do të manifestojnë dashurinë e tyre për futbollin. Kombëtarja shqiptare ka lojtarë cilësorë që luajnë në Evropë. Jam i bindur që do të kemi përballë një ekip të motivuar. Ndeshjet me Moldavinë dhe Turqinë janë harruar, i përkasin të shkuarës. Unë besoj se ekipi im, do të bëjë një performancë të mirë, ndaj Shqipërisë”, tha Didier Deschamps, trajner i Francës.
Në të njëjtën linjë me trajnerin e tij ishte edhe kapiteni i Francës, Raphael Varane që më herët theksoi se sfida vështirësohet akoma më shumë nga fakti që luhet ditën e përurimit të stadiumit
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Shqiperia bën një lojë intensive në krahë. Fitorja në paris na lehtësoui por këtë radhë nuk do të jetë e lehtë. Do të na takojë që të luajmë fort, edhe trajneri tha se do të jetë e vështirë pasi Shqipëria do të luajë në shtëpinë e saj dhe do të përurojë stadiumin e ri”, deklaroi Raphael Varane, kapiten i Francës.
Kombëtarja shqiptare dhe Franca do të luajnë këtë përballje me emocione për kuqezinjtë në orën 20:45 të së dielës dhe ajo do të transmetohet në platformën Digitalb.
Top Channel