Ofendoi dhe dhunoi të arrestuarit, aktakuzë ndaj policit

14/11/2019 10:40

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër Xh. K. nga Komuna Suharekës për veprat penale, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “ Lëndim i rëndë trupor”, si dhe, “Lëndim i lehtë trupor”.

Rasti ka ndodhur më 22 gusht të vitit të kaluar në Suharekë, ku i pandehuri Xh. K., në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdor detyrën dhe autorizimet publike, duke keqtrajtuar e fyer rëndë personalitetin e të tjerëve, këtu të dëmtuarve H.G., A.G., dhe Q. Xh nga Suhareka.

Përderisa të dëmtuarit ishin duke hipur në makinën e tyre në parkingun e një restoranti, i pandehuri fillimisht iu kërkon dokumentet e identifikimit, dhe përderisa njëri prej tyre nuk e kishte me vete dokumentin, i njëjti nervozohet dhe e godet në kokë, ku pastaj të tre të dëmtuarit i hip në makinën e policisë, kështu ku edhe gjatë rrugës për në stacionin e policisë, i ofendon e i godet ata.

Pas arritjes në Stacionin policor në Suharekë, i ndan në dhoma të veçanta, ku secilin prej tyre, duke i kapur për fyti, i ofendon, dhe i godet me grushte në kokë, bark dhe gjoks.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka përmbushur elementet e veprave penale të cekura më lartë.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prizren, dega Malishevë, që i pandehuri Xh. K., të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.

Top Channel