Mos ecni shpejt, mos përdorni celularin! Siguria rrugore/ Policia e Kukësit, orë edukative me nxënësit

14/11/2019 13:45

Nën moton “Siguria rrugore, kontribut i gjithsecilit”, Policia Rrugore e Kukësit zhvilloi takime me nxënësit e shkollës së mesme “Hazvi Nela” dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Riza Spahiu”.

Në takim morën pjesë Drejtori i DVP Kukës Drejtues Zef Laska, shefi i qarkullimit rrugor Robert Ibrahimi, efektivë të qarkullimit rrugor dhe ndihmëspecialisti i Policimit në Komunitet.

Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor u shpjegoi nxënësve se sa e rëndësishme është të njohim dhe respektojmë rregullat e qarkulimit rrugor, duke u treguar dhe me veprime praktike, sesi të veprojnë kur janë këmbësorë apo pasagjerë.

Ai u shpreh para nxënësve: “Së bashku mund të sensibilizojmë gjithë shoqërinë, sa më shumë të bëhet kjo gjë, aq më shumë do të rriten parametrat e sigurisë”!

Nxënësit u vunë në rolin e punonjësit të Policisë Rrugore dhe së bashku me ta shpërndanë fletëpalosje udhëzuese për sigurinë rrugore dhe sensibilizuan drejtuesit e mjeteve të zbatojnë rregullat e Kodit Rrugor.

Në veçanti, nxënësit u bënë thirrje drejtuesve të mjeteve që të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, të shmangin manovrimet e gabuara dhe të mos ecin shpejt.

Top Channel