Takimin trepalësh të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e quan të nxituar.

Sipas Albin Kurti, Shqipëria zyrtare është dashur të presë të formohet qeveria e re e Kosovës, e jo të nxitohet me takime në Novi Sad e Ohër.

Madje, për kandidatin për kryeministër të Kosovës, projekte të tilla Shqipëria duhet të nisë me Kosovën dhe jo me Serbinë.

“Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup, është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në luftim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit nuk mund të ketë. Rrjedhimisht mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur, e ka qenë e nevojshëm për të gjithë neve. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri, e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad e me Ohër e nesër në Durrës, kur jemi ne prag të formimit të Qeverisë së Kosovës. Nëse kanë pritur shumë vite është dashur të presin edhe pak javë”, u shpreh Kurti.

“Tash e ka fjalën Gjykata Supreme dhe i kanë ngelur diku 48 orë asaj që më së largu të marrë vendimin meritor për çështjet e ngritura. Për këto nuk është e përshtatshme që të flas unë tash. Ajo çfarë mund të them unë tani është transuar përfaqësuesi ynë në KQZ dhe në njërën anë kanë folur dhe le të flasin ata të cilët u ankuan individualisht”, tha Kurti./Sh.Pajaziti/Kosovapress

Top Channel