Nis seanca dëgjimore në KLP, Marku: S’mund të kesh rezultate të dukshme nëse mungojnë disa nga hallkat e sistemit

13/11/2019 09:43

Ka nisur pak minuta më parë seanca dëgjimore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku do të intervistohen tre kandidatët për kryeprokuror, saktësisht Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

Seanca ka nisur me Arta Markun, e cila po bën një prezantim të karrierës së saj.

“Prej 18 dhjetori 2017 mbaj pozicionin e përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm. Ka qenë një periudhë jo e lehtë pasi i gjithë sistemi po reformohet. Nuk mund të kesh rezultate të dukshme nëse mungojnë disa nga hallkat e sistemit”, ka deklaruar Marku.

Më tej shtoi:

“Pritshmëritë kanë qenë të larta, lidheshin me çështje konkrete, megjithatë për shkak të kompetencave të kufizuara nuk kam arritur të realizoj pritshmëritë. Nëse do kthehesha pas, nuk do bëja asgjë më shumë e asgjë më ndryshe për shkak të kompetencave. Prokuroria ka qenë i vetmi institucion që ka funksionuar me kohë të plotë.”

Po kështu, Kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme u shpreh:

“Nëse do zgjidhem sfidat janë të mëdha: përmirësimi i treguesve të punës, pavarësisht terrenit si punojnë, për shkak të numrit të kufizuar për shkak të shkarkimeve. Misioni im si prokuror i përgjithshëm do ishte zbatimi i parimit të ligjit në mbrojtje të interesave të ligjit; ushtrimi i funksioneve duke ushtruar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.”

Ashtu siç KLP njoftoi në hyrje të seancës, pas prezantimit u bënë pyetje edhe nga partnerët ndërkombëtarë që ndoqën procesin.

Top Channel