Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen këtë të dielë në Ohër në takimin e dytë pas atij të Novi Sadit.
Do të jetë një takim trepalësh mes presidentit Aleksandar Vuçiç, kryeministrit Edi Rama dhe atij të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Presidenti Serbisë dhe dy kryeministrat do të takohen gjithashtu edhe me Kryetarin e Këshillit të ministrave në Bosnjë dhe Hercegovinë, Denis Zvizdic dhe Ministren e ekonomisë të Mal të Zi, Dragica Sekulic.
Pas takimit të liderëve, do të vijojë mbledhjen plenare ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen edhe me përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, Bankën Evropiane për ndërtim dhe zhvillim, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, Komisionit evropian si dhe Bankës Botërore.
Synimi është gjetja e dakortësisë për një liste masash prioritare, kryesisht në kuadër të masave të “REA MAP”, për t’i zbatuar me ritëm të përshpejtuar brenda 2020 dhe idealisht, para Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit.
Top-Channel ka mësuar se këto masa, lidhen me kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor dypalësh për realizimin e qarkullimit të lirë mes njerëzve me ID dhe për ato vende të cilat ende përdorin pasaporta në pikat e kalimit kufitar.
Në takimin e Ohrit do të diskutohen edhe disa masa praktike por me impakt në tregti mes vendeve tona në Ballkanin perëndimor përfshi pasjen e një udhërrëfyesi, për modernizimin e infrastrukturës së pikave të kalimit aty ku është e mundur, për heqjen e disa procedurave burokratike e të cilat mund të dixhitalizohen etj.
Të gjitha këto masa do të realizohen në përputhje me legjislacionin e BE-së (acquis) dhe në përputhje me MAP REA dhe angazhimet e Procesit të Berlinit, por duke krijuar një trans të përshpejtuar sipas nevojave specifike të tre palëve.
Kjo iniciativë mbetet e hapur për Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi, dhe shprehet që formati të jetë i plotë në takimin e ardhshëm në Shqipëri.
Muhamed Veliu
Top Channel