Bursat, studentët e Fakultetit të Edukimit bojkotojnë mësimin

07/11/2019 13:04

Studentët e Fakultetit të Edukimit kanë bojkotuar sot mësimin për të kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Arsimit, pasi ky fakultet nuk është përfshirë për marrjen e bursave nga kjo ministri.

Ata me këtë rast paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta të tjera dhe bojkote të mësimit deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Kryetari i Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Edukimit, Shkodran Murturi, tha se të drejtat e studentëve do t’i mbrojnë me çdo kusht dhe nuk do të tërhiqen deri në realizimin e tyre.

“Ne e bojkotojmë mësimin sot ngase ka shkelur të drejtat e studentëve meritorë që me mund arritën këtë kriter duke u bazuar në vendimin e viteve të kaluara që ishim edhe ne pjesë e atyre që ishim përfitues të bursave…Themeli i arsimit është Fakulteti i Edukimit, prandaj si ka mundësi që themelin e arsimit mos të inkurajohet, mos të inspirohet, mos t’i jepet përkrahje nga Ministria e Arsimit. Ne kundërshtojmë vendimin që ka marrë ministri i Arsimit për largimin e Fakultetit të Edukimit nga konkursi i shpallur këtë vit akademik për bursa. Po ashtu, ka larguar edhe Artin dhe Edukatën Fizike. Ai sipas vendimit të tij që ka thënë se nuk është prioritet Fakulteti i Edukimit, ne Fakultetin e Edukimit e shohim fakultetin më prioritet në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se i kanë dërguar ankesë me shkrim ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi dhe kanë zhvilluar takim, por nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për këtë çështje.

“Fillimisht, kemi bërë protestë para Ministrisë së Arsimit, tash e kemi marrë vendimin që ta bojkotojmë mësimin, që ta dinë të gjithë se jemi serioz ndaj kësaj që kërkojnë. Nuk lejojmë të shkelen të drejtat e studentëve meritorë, studentët bursistë janë ata elitë të studentëve të fakultetit të Edukimit. Pra, ne nuk lejojnë që këta studentë asnjëherë të neglizhohen, asnjëherë të humbin të drejtat e tyre. Përveç kësaj, do të vazhdojmë edhe me protesta të tjera, kemi me e mbyll të tërën, do ta bllokojmë Ministrinë e Arsimit dhe do të vazhdojmë të merremi me Rektoratin e me të gjitha mundësitë për të ardhur te qëllimi jonë”, tha ai.

Studenti Ereblin Hoxha, u shpreh se në konkursin për bursa nuk janë përfshirë tri fakultete.

“Meqë përgjigja e ministrit ka qenë se kemi bërë përfshirje të fakulteteve të tjera në vendimin e tanishëm janë vetëm 5 fakultete, të cilat kanë qenë edhe më parë, përveç mjekësisë që janë reduktuar disa drejtime dhe janë larguar vetëm tri fakultete, nuk ka pasur përfshirje të asnjë fakulteti. Ne nuk kemi marrë përgjigje se janë përfshirë fakultete të cilat nuk kanë kuadro ose nuk kanë studentë, kjo ka qenë përgjigja konkrete”, tha ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për ndarjen e bursave për Fakultetin e Bujqësi- Veterinari, FShMN, Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji, Fakultetin Teknik dhe Shkenca të Aplikuara.

Top Channel