Në këtë sallë të ambjenteve të ish mensës së Qytetit Studenti kanë zhvilluar mësim studentët e FE, të degës Financë, ku janë bërë pjesë e mësimit dhe disa persona të panjohur, të cilët janë prezantuar si pjesë e një grupi tjetër studentësh. Këtu ka qenë pikënisja e grindjes, e cila vazhdoi më tej në sheshin Demokracia në Qytetin Studenti.

“Situata ka qenë e paprecedentë për ne, në historinë e Fakultetit të Ekonomisë,në Universitetin e Tiranës. Aty janë paraqitur si studentë, më pas janë konfliktuar me studentët brenda në klasë. Çunat që kanë qenë aty i kanë marrë dhe i kanë nxjerrë jashtë, këta të dy që kanë qenë aty i kanë pritur jashtë, tek sheshi “Demokracia”. Në momentin që kjo gjë ka ndodhur janë njoftuar menjëherë policia e shtetit, policia private, nuk ka pasur denoncim nga ana e studentëve. Dy prej personave janë identifikuar dhe policia është vënë në ndjekje të tyre për t’i gjetur”, ka thënë Ermal Haxhiaj, Administrator i FE.

Këto janë fotot të siguruara nga Top Channel të shkaktarëve të sherrit, të cilët janë në kërkim nga policia. Ngjarja ka ndodhur përballë Komisariatit të Policisë, rreth 30 metra largsi nga vendi i ngjarjes.

Nga ana tjetër, vetë studentët nuk kanë bërë denoncim, ka thënë Komisariati i Policisë për gazetaren e Top Channel.

Si rrjedhojë, Fakulteti i Ekonomisë pas konfliktit ka marrë masa. Në ambjentet e përkohshme, te auditorët e ish-mensës te Qytetit Studenti, sallat e seminareve në Rezidencën e Qytetit Studentit dhe auditoret e godinës “Iliria”, për arsye sigurie, studenti do të lejohet të hyjë në këto ambjente vetëm kur paraqet Kartën e Studentit të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Nuk do të jetë më një roje sigurie private por dy të tillë.

Si dhe është shtuar një punonjës i Administratës së Fakultetit, i cili do të jetë prezent në këto godina prej orës 8 të mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes, që studentët të adresojnë problemet.

Kristi Gongo

Top Channel