Edhe pse përballë do të jetë kundërshtari më i fortë dhe ai që ka më tepër yje në gjirin e tij krahasuar me rivalët e tjerë të Eliminatorëve, Federata e Futbollit të Kosovës ka prezantuar çmime të lira për sfidën ndaj Anglisë.

Duhet më pak se dy javë nga përballja e vlefshme për kualifikueset e Evropianit, dhe mijëra të interesuar po nxitojnë për të siguruar një vend në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

FFK njoftoi opinionin se biletat për ndeshjen kualifikuese për Euron 2020, Kosovë–Angli, do të dalin në shitje më 12 nëntor, në orën 18:00. Biletat mund të blihen nëpërmjet platformës online www.tiks.app që sipas drejtuesve bëhet për të shmangur abuzimet, edhe pse thuajse në çdo përballje të eliminatoreve dhe më parë në Ligën e Kombeve, shumë kanë përfunduar në tregun e zi.

Një vend në impiantin e Prishtinës do të nisë me 5 Euro, çmim të cilit i korrespondojnë edhe pozicionet më pak të lakmueshme në Veri dhe në jug. Çmimi do pësojë rritje progresive me tribunat lindore, bileta që vlejnë 10 dhe 15 euro ndërsa një vend në zonën VIP, do të kushtojë 80 Euro.

Këto 1#mime janë dukshëm më të ulëta se përballja mes Shqipërisë dhe Francës që do të luhet në të njëjtën ditë në Tiranë, dhe që ka ngjallur protesta mes tifozëve për mënyrën e shitjes së biletave.

 

Top Channel