Gjiganti gjerman Volkswagen ka filluar zyrtarisht prodhimin e automjeteve të tij elektrike ID.3, si pjesë e përpjekjeve për t’u rreshtuar mes liderëve të prodhimit të këtyre makinave nëpër botë.

Në ceremoninë e prezantimit në qytetin gjerman Zwickau, në krah të drejtorit të përgjithshëm të Volkswagenit, Herbert Dies, ishte dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Zgjerimi i shpejtë i stacioneve të një karikimi të qëndrueshëm dhe të lehtë në përdorim, është i domosdoshoëm për ti krijuar shoferëve besimin që të blejnë një makinë elektrike. Kjo është arsyeja përse duam të krijojmë një milion pika ngarkimi deri në vitin 2030, e këtu do të marrë pjese edhe industria e makinave”, u shpreh Merkel.

Sipas Dies, modeli ID.3 do të sigurojë “një kontribut të rëndësishëm e do ta bëjë lëvizjen individuale të gjelbër të arritshme për miliona njerëz. Kjo përbën një pikë kthese kthese për kompaninë tonë dhe qasjen e saj ndaj klimës, ka shtuar Dies. Model ID.3 pritet të mbushë tregjet evropiane verën e ardhshme, me versionin bazë që kushton më pak se 30,000 euro në Gjermani. deri në 2028-tën, VW planifikon të prodhojë “gati 70 modele të reja makinash elektrike”.

Kompania ka gjithashtu në plan të shpenzojë mbi 30 miliardë euro për të elektrifikuar portofolin e tij të automjeteve brenda vitit 2023. Kompania njoftoi javën e kaluar se të ardhurat nga shitjet e saj nga janari deri në shtator arritën 186.6 miliardë euro, me 6.9 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Top Channel