Ka nisur mëngjesin e sotëm kqyrja e makinës së gjetur pranë varrezave të fshatit Shkafanë të Ishmit, në Durrës, e cila dyshohet se i përket autorëve të sulmit me armë ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit”.

Ndonëse automjeti u gjet që mbrëmjen e djeshme, grupi hetimor zgjodhi të bënte kqyrjen në mëngjes, duke shfrytëzuar dritën.

Brenda makinës u gjetën dy armë kallashnikovë dhe dy maska, që mendohet se janë përdorur nga atentatorët.

Policia sekuestroi dje edhe kamerat e sigurisë përgjatë autostradës Durrës-Tiranë, nga ura e Dajlanit deri në mbikalimin e Shkozetit, për të verifikuar lëvizjet e autorëve.

Si pasojë e plumbave, prokurori Ndoja mori plagë të lehta, ndërsa Muharremi dhe shoferi Andi Maloku u plagosën më rëndë.

Top Channel