E kishte gjetur prapë buzën e dalit të njomur tashmë nga goja e saj, e kishte puthur lehtë dhe ngadalë, e kishte mbajtur gjatë, e kishte lëshuar, e kishte puthur përsëri, më gjatë, më gjatë e buzët e Davidit kishin bërë të njëjtën gjë.

Si një imitim me buzën e saj të poshtme; kishin shkëmbyer ëmbëlsi, por edhe dije në atë mpleksje plot pasion të buzëve, frymës, gjuhëve…

Preç Zogaj zgjedh të vijë nëpërmjet kësaj gjuhe me romanin e tij të fundit “Anjeza nuk u zgjua’. Ai i rikthehet letërsisë tashmë në prozë, një prozë erotike.

“Në kornizën  e një sistemi jeta ndjek ligjësitë e saj. Nuk është gjithmonë sistemi që përcakton gjithçka.Thirrja e erotikës e dashurisë e ambicies janë thirrje që ekzistojnë në çdo lloj sistemi, jo vetëm në një sistem”, shprehet Zogaj.

Ky roman është një histori dashurie mes Anjezës dhe Davidit. Një histori e atyre kohëve të komunizmit, që thyhet në kontakt me një realitet, i cili ofron pak shanse.

“Unë jam një shkrimtar që synoj të ndaj emocionet e mia me lexuesit dhe synoj të jem i pëlqyeshëm. Letërsia ka dhe funksion hedonistik. Synon të japë kënaqësi nëpërmjet leximit”, vazhdon Zogaj.

Kjo histori ka kohë që fle së bashku me autorin, megjithëse prej më pak se dy vitesh tashmë është zgjuar. Zogaj nuk mohon që në të ka elementë autobiografikë.

“Davidi që është partneri i Anjezës është një personazh letrar, që ka tek tuk edhe element autobiografikë”, vazhdon Zogaj.

Jetona Koçibelli

Top Channel