Angli, kupa e ligës/ Liverpool eliminon Arsenalin, kalon Man.Utd

31/10/2019 14:29

Faza e 1/8 të kupës së Ligës në Angli kishte rezervuar sfida fantastike dhe njëra prej tyre ishte ajo mes Liverpoolit dhe Arsenalit. Në Anfield Road, të dyja skuadrat dhuruan spektakël në fushën dhe këtë e tregojnë 10 golat e shënuar brenda 90 minutave të kohës së rregullt e cila u mbyll me barazimin 5-5.

Mustafi me autogol, Milner me penallti, Oxlade Chamberlaain dhe Origi 2 herë ishin ata që shënuan për Liverpoolin, ndërkohë që Arsenali gjeti golin me Torreirën, Martinellin 2 herë, Maitland-Niles dhe Willock.

Ishin gjuajtjet e 11 metërshave që përcaktuan skuadrën që kaloi në çerekfinale të kompeticionit me The Reds që u treguan të saktë në tentativat e tyre, ndërkohë që Ceballos ndëshkoi Arsenalin duke e humbur gjuajtjen e tij.

Tjetër supersfidë e Kupës së Ligës ishte ajo e Stamford Bridge mes Chelseat dhe Manchester United. Djajtë e kuq siguruan kualifikimin mes 8 më të mirave të turneut pasi fituan 2-1.

Njeriu i ndeshjes për skuadrën e Solskjaer u bë Marcus Rashford që shënoi të dy golat dhe mes tyre qëndron ai i barazimit të përkohshëm i Batshuayit për Chelsean.

Top Channel