Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër N.O., U.S., dhe A.S., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me Ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.
Të dyshuarit me datë 24 tetor 2017 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshme nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh, kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.” në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj, gjithsej 22 dyer të drurit, ku në brendësinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gram substancë narkotike të llojit “marihuanë” me qëllim të eksportimit në shtetin e Zvicrës.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit N.O., U.S., dhe A.S., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psiokotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë.
Top Channel