Protestat në Liban, jep dorëheqjen kryeministri Hariri

30/10/2019 02:17

Kryeministri i Libanit Saad Hariri ka dhënë dorëheqjen në mesin e protestave që kanë mbërthyer vendin prej dy javësh. Hariri tha se Libani ka arritur në një pikë kritike dhe duhet bërë diçka për të ndalur krizën.

Protestat nisën kundër planeve tashmë të anuluara për të taksuar telefonatat në Whatsapp, por u shndërruan në protesta kundër korrupsionit politik dhe krizës ekonomike.

Libani ka një nga nivelet më të larta të borxhit në botë. Në një fjalim në televizion, Hariri tha se ai dhe qeveria e tij do të paraqisnin dorëheqjen para presidentit Miche Aoun.

Demonstrimet kanë reflektuar ndasitë në shoqërinë libaneze dhe kanë çuar në një mbyllje 10 ditore të bankave, zyrave të tjera, shkollave dhe universiteteve.

Grupi militant Shiit, Hezbollahu, që ka dominuar qeverinë e koalicionit të Haririt, së fundmi ka ashpërsuar qëndrimin e tij kundrejt protestave. Besnikë të Hezbollahut dhe një grupi tjetër Shiit, shkatërruan të martën një kamp proteste në qendër të Bejrutit duke djegur tendat dhe duke rrahur demonstruesit anti qeveritarë.

Top Channel