Lulja me 20 petale- Nis mbledhja e tyre për Ditën e të Vdekurve në Meksikë

30/10/2019 12:45

Fermerët në qytetin e Copandaros në Meksike kanë nisur mbedhjen e luleve cempasuchil, apo marigold, të cilat konsiderohen si pjesa më e rëndësishme e përgatitjeve për kremtimet e ditës tradicionale të të vdekurve, kushtuar personave të larguar nga kjo jetë.

Lulja me 20 petale, siç njihet ndryshe, ka një ngjyrë të bukur të verdhë në portokalli dhe një aromë mjaft të veçantë. Ajo lulëzon në fundin e sezonit të shirave në Meksikë, tamam në kohë për festat që e shndërrojnë në protagoniste kryesore.

Kjo lule është kultivuar që në kohët e lashta; atë e rrisnin aztekët e madje ka dhe një legjendë të lidhur me të. Bëhet fjalë për historinë e dashurisë së dy të rinjve aztekë, të rritur bashkë. Kur djali u vra në luftë, vajza iu lut perëndisë së diellit Tonatiuh ta bashkonte me të dashurin e saj, dhe ai e ktheu në lule, ndërsa djalin e vdekur në kolibër, që te rrinte gjithmonë pranë saj.

Këto lule konsiderohen ne Meksike si një simbol i asaj që është kalimtare dhe i brishtësisë së jetës. Por ndërkohë kanë edhe përdorime te tjera: gonxhet e tyre janë të ngrënshme, ndërsa vete lulet shërbejnë për të ngjyrosur e madje edhe gjejnë edhe përdorim mjekësor.

 

Top Channel