Zjarret në Kaliforni, mijëra njerëz braktisin shtëpitë

29/10/2019 01:39

Mijëra banorëve të Los Angelesit i është kërkuar të braktisin shtëpitë për shkak të një zjarri që po përhapet shpejt dhe që nisi në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Zjarri nis pranë një kompleksi artesh dhe u përhap në rreth 200 hektarë, pranë disa prej shtëpive më luksoze të qytetit. Guvernatori i Kalifornisë ka shpallur gjendjen e emergjencës në të gjithë shtetin ndërsa zjarret vazhdojnë të zhurisin tokë në shumë zona të tjera.

Edhe ylli i NBA, Lebron James, është mes atyre që janë detyruar të braktisin shtëpitë nën kërcënimin e zjarrit.

Rreth 3300 shtëpi janë në zonën e evakuimit të detyrueshëm. Ndërkohë që zjarret vazhdojnë të përhapen edhe në kaliforninë e veriut. Rreth 180 mijë vetë atje janë urdhëruar të braktisin shtëpitë me rrugët përreth Santa Rozës, në veri të San Franciskos, të mbushura me makinat e atyre që tentojnë të largohen.

Të gjitha shkollat në kontenë sonoma janë mbyllur dhe dhjetëra e mijëra shtëpi atje janë nën kërcënim. Ndërkohë edhe blackout-i më i madh në historinë e shtetit ka lënë një milionë njerëz pa energji elektrike.

Kompanitë energjitike po përpiqen të ndalojnë që kabujt e dëmtuar të shkaktojnë zjarre të reja.

Top Channel