Nga Jetona Koçibelli
Një botë e thellësisht e margjinalizuar, e lodhur prej kastave politike dhe oligarkëve që nuk ngopen së pasuruari. Jetojmë një epokë që nuk ngacmon ëndrrën.
Cili është personazhi që mundohet të shpëtojë njeriun e thjeshtë? Dhe përse nuk janë më ‘Batman’ apo ‘Njeriu merimangë’? Përse zgjidhet një klloun që vret këtë herë në Hollivud? A është filmi vetëm një ikje e thjeshtë nga realiteti? Apo sinjalizon diçka shumë të gabuar në kulturën tonë? ‘Joker’, a është një film që predikon dhe adhuron të keqen?
Zonja dhe zotërinj, mirësevini në një ndër rolet më kryevepër të Joaquin Phoenix. Është njëlloj sikur të hapet perdja e një shfaqeje me klloun, dhe spektakli të fillojë. Por në vend që ta kesh të gjallë aty si në teatër, ke të gjallë sytë dhe portretin e tij në ekranin e madh. Sepse roli i tij është mbi të gjitha portreti. Roli i tij është i gjithi psikologjik. Ai është roli në fakt.
Joker (Joaquin Phoenix) është historia e komedianit Arthur Fleck, që shoqëria me anë të përbuzjes, shpërfilljes dhe keqtrajtimit e shndërroi në kriminel.
Çfarë bëhet me atë botë të çmendur atje tej? – pyet ky njeri i dobët që në fillim të filmit. Një njeri që gjithmonë mendonte se kishte lindur t’u falte njerzve gëzim dhe t’i bënte të lumtur. ‘Joker’ nuk harron kurrë të qeshë. Madje e qeshura e tij, shpërthen mbi të gjitha nga inati i brendshëm. Ishte ilaçi e njëkohësisht çmenduria e tij. Keqtrajtuar që në fëmijëri nga një nënë e çmendur, e i rritur nën shenjëstrimin e të dobtit, makthi i tij merr fund kur për herë të parë përdor një armë.
Aty ndjen jetën t’i rrjedhë në deje. Shoqëria po flet për të. Ai është në vëmendje. Ai ndjen pushtet dhe një mënyrë për të ngritur krye kundër sistemit, kundër klasave.
Një krim që ai kryen në metro nën maskën e një kllouni e shndërron në frymëzuesin e të gjithëve që janë kundër sistemit. Maska e tij u kthye në simbol kundër masave të hipokrizisë së një shoqërie që është gjithmonë në kërkim të viktimës së saj.
Aty poshtë në botën që ai është i detyruar të jetojë ka vetëm llum dhe baltë. Në një qytet që përditë vdes ëndrra. Aty poshtë është një botë e errët që e bën atë të dhunshëm. Shtuar kësaj edhe sëmundjen mendore. Krimi dhe dhuna e tij lind nga drama! Kjo është e vërteta e madhe dhe e thjeshtë që regjisori Todd Phillips ka zgjedhur t’u thotë audiencave.
´Shpresoj që vdekja të vlejë më shumë se jeta` është nënvetëdija që i flet Arthur Fleck. Kjo është ajo që ndodh me një të sëmurë mendor kur shoqëria e braktis. Dhe pas kësaj vjen hakmarrja. Kumti i gjithë filmit. Një hakmarrje që nuk duhet harruar të shoqërohet gjithmonë më një qeshje vesh më vesh, ashtu siç i ka hije një kllouni.
Çdokush në sallën e kinemasë e ka ndjerë veten të paktën njëherë në jetë një Joker. Prandaj edhe Todd Phillips ka bërë një film universal. Një film që i drejton gishtin shoqërisë për t’i thënë se sa ‘Joker’ prodhon çdo ditë. Midis të padukshmes dhe elitës ka një hendek aq të madh, sa nuk e mbush asgjë.
‘Joker’ është një film që e ndau audiencën në dy kampe. Në ata që e duan dhe ata që e konsiderojnë limonatë. Mbase një OSCAR për Joaquin Phoenix do t´i jepte një përgjigje të mirë këtyre të kampit të dytë. Por sidomos indirekt do t`i jepte një shuplakë sistemit.
Por edhe hipokrizisë atyre që duken të lumtur në ngrehinën groteske prej kristali. Në fakt Jokeri është edhe rebelimi ndaj nesh, ndaj atyre pra që që ashtu si ai, nuk mund të jemi të lumtur pa një shoqëri të drejtë. Të gjithë jemi një ‘Joker’.
Top Channel