Sot janë zhvilluar tri ndeshje të tjera në javën e 12-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Ballkani i Ismet Munishit ka arritur të fitojë tri pikë në ndeshjen kundër Dukagjinit. Vendësit qysh në pjesën e parë treguan nivelin e tyre duke shënuar tri gola, rezultat me të cilin përfundoi edhe ndeshja.

Golin e parë e shënoi Blend Baftiu në minutën e 18-të, ndërsa katër minuta më vonë Arbër Hoxha dyfishoi rezultatin, ndërsa golin e tretë i cili njëkohësisht ishte edhe goli përfundimtar në ndeshje e shënoi Jetmir Topalli në minutën 45+1.

Nga ana tjetër edhe Drita ka fituar ndeshjen ndaj Ferizajit me rezultat 0-2. Në pjesën e parë asnjëra nga skuadrat nuk arritën të gjejnë rrugën drejt golit, mirëpo në pjesën e dytë Drita shënoi dy herë brenda shtatë minutave.

Në minutën e 63-të, Bujar Shabani shënoi golin e parë të ndeshjes, ndërsa në minutën e 70-të, Betim Haxhimusa dyfishoi rezultatin, rezultat me të cilin përfundoi edhe ndeshja. Nga ana tjetër Gjilani nuk arriti të fitojë ndeshjen ndaj Trepçës’89, gjë që bëri të humbasë kreun e tabelës.

Golin e parë për Trepçën e shënoi Arb Manaj në minutën e 60-të, ndërsa pas pesë minutave Engjëll Hoti shënoi edhe golin e dytë, i cili njëkohësisht ishte goli i fundit në këtë ndeshje. /KosovaPress/

Top Channel