39 viktimat janë kinezë/ Humbën jetën pasi qëndruan 15 orë në -25 gradë celcius

25/10/2019 02:01
39 kinezët që u gjetën brenda mendohet se kishin vdekur 12 orë para se të futeshin në territor britanik, që në Belgjikë.

“U tmerrua kur gjeti pirgun e trupave të pajetë”. Miqtë e shoferit të kamionit të “vdekjes“ thonë se 25 vjeçari Morris Robinson nuk e dinte çfarë kishte prapa në kamionin frigoriferik, në bordin e të cilit u gjendën të vdekur 39 emigrantë kinezë, mes të cilëve edhe tetë gra.

Shokët e Robinsonit pretendojnë se i riu vetëm kur hapi derën që të merrte disa dokumente, e pa se çfarë kishte ndodhur. Të njëjët persona këmbëngulin se 25 vjeçari, i llahtarisur, e kishte thirrur vetë ambulancën, e cila nga ana e saj kishte lajmëruar policinë.

Emigrantët sipas raporteve në mediat britanike kanë ngrirë brenda kamionit, vdekja e tyre ka qenë e ngadaltë dhe e tmerrshme. Ulërimat e fatkeqëve nuk i ka dëgjuar, as vetë shoferi përpara.

Policia po heton nëse emigrantët u zhvendosën në Mbretërinë e Bashkuar nga një rrjet trafikantësh me bazë në Irlandën e veriut, ku tre banesa janë bastisur për këtë qëllim gjatë natës.

Familja e Robinsonit të arrestuar për ngjarjen e rëndë, thuhet te jetë “totalisht e shokuar nga lajmi“. Arrestimin e të birit, i ati e ka mësuar nga rrjetet sociale.

Autoritetet konfirmuan se kamioni ka hyrë në Britaninë e Madhe nga Belgjika, edhe pse fillimisht kishte raportime se ai mund të ishte nisur nga Bullgaria.

Ndërsa tragjedia ka të gjitha shenjat e një trafiku të qënieve njerëzore që ka shkuar keq, policia duhet ende të identifikojë emrat e viktimave, mënyrën se si ata kanë vdekur dhe përgjegjësit për ngjarjen.

Top Channel