Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj verifikimit të fletëvotimeve të ardhura në mënyrë të parregullt nga Serbia, duke thënë se kjo është e pa telorueshme kur dihet se zarfet me fletëvotime nga mërgata ende nuk janë trajtuar dhe se janë në pritje të përgjigjes për ankesën e dërguar në Supreme lidhur me këtë çështje.

Në një komunikatë për media kjo parti e quan të pa tolerueshme të krijohen të gjitha kushtet, edhe përtej të lejueshmes, për t’u trajtuar zarfet nga Serbia, dhe njëherësh të mos trajtohen zarfet e ardhura nga bashkatdhetarët tanë.

“Sot po ashtu pamë pamje aspak normale në numërimin e fletëvotimeve të ardhura në mënyrë të parregullt nga Serbia, të cilat shkaktuan probleme në shëndetin e punëtorëve të Komisionit Qendror Zgjedhor. Ndërsa priten rezultatet nga analizat dhe hetimet e Policisë së Kosovës, ende pa u kuptuar qartë se çfarë ndodhi, filloi sërish verifikimi i tyre në kushte të jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatë.

Lëvizja Vetëvendosje, pas ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe përgjigjes së tyre, e dërgoi në Gjykatë Supreme ankesën për trajtimin e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga mërgata.

Kjo parti, e cila doli e para në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, thotë se janë në pritje të fillojë verifikimi i tyre sa më parë dhe dërgimi në Qendrën e Numërimit për t’u vendosur në rezultatin e përgjithshëm si vota të rregullta.

Komisioni Qendror Zgjedhor ende nuk ka marrë ndonjë veprim lidhur me trajtimin e fletëvotimeve të ardhura nga mërgata, veçanërisht të atyre të cilat për momentin nuk po procedohen me justifikimin se kanë mbërritur pas afatit ndonëse janë dërguar nga bashkatdhetarët shumë ditë para datës së zgjedhjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA