Pas një orë e gjysmë takim në mes të grupit punues të Lëvizjes Vetëvendosje me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u tha se ata janë marrë vesh për agjendën e takimeve të ardhshme, dhe se nuk kanë diskutuar për afatin final të një marrëveshje apo për emra se kush do të jetë në krye të ministrive.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së Lumir Abdixhiku tha se dy liderët e partive politike do të përcaktojnë emrat në bazë të propozimeve të grupeve.
Ndër të tjera, ai tha para gazetarëve se tema e dialogut me Serbinë do të ngrihet në nivel të diskutimit në mes të dy liderëve të partive politike.
Takimin me grupin punës të Vetëvendosjes, Abdixhiku e quajti pozitiv dhe tha se ishte përafrim i qëndrimeve në mes të dy subjekteve politike.
Ai tha se kanë diskutuar për formatin e qeverisë, siç theksoi për 12 ministri.
“Ne nuk kemi folur për afatet finale të finalizimit të marrëveshjes, kemi ndërtuar në agjendë të takimeve të ardhshme. Për çështje ekonomike do të flasim të hënën, për programin ekonomik, për rendin dhe ligjin do të flasim të enjten, dhe për dialogun do të ngritim nivelin e diskutimeve në nivel politik të liderëve të dy partive politike. Natyrisht ka dallime në disa tema, por për pjesën me të madhe kemi përafrime dhe jemi duke shikuar drejt pikave të përbashkëta që partitë politike i kanë”, tha ai.
Abdixhiku theksoi se vazhdojnë të presin certifikimin e rezultateve finale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vazhduar me finalizimin e marrëveshjes.
“Nuk jemi në afat të qartë të finalizimit të marrëveshjeve. Ne ende presim certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por deri në datën e certifikimit pjesa e grupeve punese do të finalizojë pjesën e vet… Në këtë fazë nuk kemi qasje të diskutimit të emrave konkretë. Ne synojmë të flasim për tema për çështje të rëndësishme të Kosovës dhe për formatin e qeverisë, dhe pastaj dy liderët do të bëjnë marrëveshjen finale, do të përcaktojnë emrat, në bazë të propozimeve të grupeve punese do të bëjnë marrëveshjen finale”, tha ai.
Abdixhiku u përgjigj edhe për mundësinë e bashkëpunimit me Listën Serbe.
“Nuk e kemi diskutuar ende, por Kushtetutën e Republikës e respektojmë pa dyshim, por nuk pranojmë kushtëzime prej askujt”, shprehet Abdixhiku.
Ndërsa për shkrirjen e agjensioneve, ai tha se ende këtë çështje nuk e kanë finalizuar, por kanë diskutuar vetëm që një pjesë e tyre të bëhen pjesë e ministrive përkatëse, teksa shtoi se kanë diskutuar që qeveria t’i ketë 12 ministri dhe nga dy zëvendësministra për secilën prej tyre
Top Channel