Limaj: Nisma pjesë e Parlamentit, votat nga Serbia janë të parregullta

23/10/2019 18:53

Nisma Socialdemokrate thotë se votat e ardhura nga Serbia janë të parregullta dhe kërkon urgjentisht që ato të mos procedohen, derisa paralajmëron se pranimi i votave të parregullta e bën të pamundshëm pranimin e rezultatit zgjedhor.

Kreu i kësaj partie Fatmir Limaj në një konferencë për media ka bërë të ditur se Nisma Socialdemokrate nga numërimi i deritanishëm i votave të rregullta ka fituar 5.5 për qind të votave dhe se do të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm të Kosovës.

Limaj: Nisma ka aktualisht 5.5 për qind të votave

“E para dua t’ju njoftoj se nga numërimi i deritanishëm i votave të rregullta në QNR Nisma Socialdemokrate dhe Koalicioni ynë ka aktualisht 5.5 për qind të votave që do të thotë se koalicioni ynë do të jetë e parlamentit të Kosovës sipas numërimit të deritanishëm të votave të deritanishme rregullave. Ajo që na ka shqetësuar zhvillimet e sotme është tentimi që përmes votave të parregullta që po bëhet, tentimi për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Unë dua të njoftoj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbi 40 mijë votues të këtij koalicioni, të them se aktualisht se NISMA dhe koalicioni ka 5.5 për qind të votave dhe se veprimet e sotme përmes tentimit që votat e parregullta të kthehen dhe të procedohen dhe të numërohen është tentim për të deformuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Limaj.

Ai ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka shpërndarë një raport të Divizionit për shërbimet e votuesve që është bërë më datën 11.10. 2019, ku qartësisht raporti i këtij divizioni i paraqitur KQZ-së, tregon se votat e ardhura nga Serbia janë të parregullta dhe si të tilla ato vota nuk duhet të procedohen.

Limaj: Votat e ardhura nga Serbia janë vota të parregullta

“Votat e ardhura nga Serbia janë vota të parregullta dhe si të tilla ato vota nuk duhet të procedohen. Veprimet që sot i kemi parë janë veprime që janë në kundërshtim me ligjin. Apeli im është për zyrtarët shtetërorë: mos veproni kundër ligjit dhe mos procedoni votat e parregullta, mos e shkelni ligjin, sepse kjo ndikon direkt në deformimin e procesit zgjedhor dhe çfarë është me rëndësi është se e deformon dhe pamundëson vullnetin e mbi 40 mijë njerëzve që ia kanë dhënë votën këtij koalicioni. Në raportin që ka dhënë ky divizion shihet qartë se si pranohen votat nga jashtë dhe veprimi i sotëm i këtij divizioni është në kundërshtim të plotë me vendimin e KQZ-së, i cili ka rekomanduar divizionit që të respektojë ligjin. Unë i kërkoj KQZ-së urgjentisht të thërrasë mbledhjen dhe të ndalojë këto veprime joligjore”, u shpreh ai.

Limaj ka cituar pjesë të këtij raporti që i është paraqitur KQZ-së nga divizioni i votimeve, në të cilin thuhet se nga diskutimet e zhvilluara në mbledhjet e këshillave dhe në njërën nga mbledhjet e KQZ-së është vendosur që për mënyrën e dërgimit të pakove me fletëvotime të ndiqet parimi se fletëvotimet që pranohen përmes postës dhe që duhet proceduar për vlerësim përbëjnë vetëm pakot që bëjnë pjesë nga rrethi i ngushtë familjar që kanë të njëjtin mbiemër.

Limaj: Ja si janë të ardhura votat nga Serbia

“I njëjti divizion paraqet shkeljet që kanë ndodhur me ardhjen e votave nga Serbia. Atje thuhet se duhet familje e ngushtë, ndërsa këtu janë paraqitur pakot që kanë ardhur nga Serbia. Ka pako me 157 fletëvotime, ka me 189, 200, ka me 210. Vetë mënyra si kanë ardhur janë të parregullta. Një gjë të tillë e ka paraqitur vetë ky divizion duke dhënë edhe fotografi. Ja si janë të ardhura votat nga Serbia në paketa dhe imagjinoni se po të ndodhte kjo që diaspora jonë të votonte nëpër ambasada me paketa të tubuara t’i sillnin në Prishtinë dhe pastaj ato të vlerësoheshin ose se çka do të ndodhte”, tha Limaj.

Për më tepër kreu i Nisma Socialdemokrate ka kërkuar që këto vota të hiqen menjëherë nga QNR-ja, pasi dërgimi i tyre përbën shkelje ligjore, teksa nuk ka lënë pa përmendur edhe zarfet që kanë ardhur nga Serbia, si pasojë e të cilave kanë pësuar alergji mbi 20 zyrtarë të KQZ-së, duke kërkuar njëherësh nga prokuroria të tregojë se çfarë ka pasur në ato paketa dhe nëse ka pasur helmim apo jo.

Limaj: Pranimi i votave të parregullta e bën të pamundshëm pranimin e rezultatit zgjedhor

“Pranimi i kutive ose votave të parregullta e bën të pamundshëm pranimin e rezultatit zgjedhor dhe si i tillë kërkesa ime është stop, ndalni veprimet joligjore për të deformuar një proces zgjedhor. Nisma ka fituara mandatet, janë të saj, kanë votuar mbi 40 mijë njerëz. Mandatet e deputetëve janë tonat, nuk janë të askujt”, u shpreh ai./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA