Tetori është ndërkombëtarisht muaji kushtuar librit dhe arteve.
Një fushatë në fillim muaj me moton lexo një libër, gjej një libër, apo dhuro një libër u nis nga Ministria e Kulturës. Po ashtu nominimet e miqve dhe personazheve për tituj libri kanë qenë të pranishme në rrjetet sociale. Megjithatë a është kjo e mjaftueshme? Nga pikëpamja e botuesve, politikat për kthimin e vëmendjes ndaj librit duhet të kenë parësore bashkëpunimin mes tyre dhe institucioneve shtetërore.
“Ne jemi të interesuar të bëjmë takime konkrete me lexuesit. Me nxënësit, me rininë. Sepse faktikisht aty duhet të përqëndrohemi. Për të ngjallur dëshirën për lexim dhe për të forcuar besimin tek libri. Dhe kur bëhen takime me shkolla, këto shkolla duhet të kenë biblioteka të freskuara. Ka shumë vite që nuk bëhen freskime të bibliotekave shkollore dhe të bibliotekave publike. Kjo është një dobësi shumë e madhe. Por unë kam besim ,që po të punojmë të gjithë bashkë do të përmirësohet puna me librin, por nuk po e gjejmë gjithmonë atë gjuhën e bashkëpunimit”, shprehet kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.
I pyetur se cilin libër do ta sugjeronte për të lexuar dhe cilin për të dhuruar, Ymeri u shpreh:
“Unë do të sugjeroja “Lehtësia e padurueshme e qënies” e Milan Kunderës nën përkthimin e Saverina Pashos. Pa mu dridhur zëri farë “Harry Poter” për lexuesit e vegjël. Alberto Moravia-n si autor: “Agostino”, “Burri që këqyr”. Për ata që pëlqejnë historinë unë do të sugjeroja romanet e Hilary Mantel-it me “Salla e ujqërve” dhe “Ana Bolena, një cështje familjare”. Mund të sugjeroja romanin e shkëlqyer “Eksodi” të Leon Uris-it. Mund të bëja një listë të tërë, por meqë ju më thatë një, nuk po vazhdoj më tej.”
Këto janë disa tituj joshës, por jemi në tetor, me sytë nga libri, kështu që çdo titull është një alternativë e mirë. Sepse do t’ju hapë një dritare të re. Prandaj më shumë lexues në rrugë apo parqe, do ta zbukuronin këtë muaj.
Jetona Koçibelli
Top Channel